Spanja paralajmëron për kërcënimet nga Afrika Veriore

16:05 | 6 Korrik 2022
E.H

Vendet e Evropës Jugore, duke përfshirë Italinë dhe Spanjën, po kërkojnë nga aleatët e NATO-s që të marrin masa për kërcënimet që vijnë nga Afrika Veriore.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga kryeqyteti spanjoll, ndërsa lufta në Ukrainë është në qendër të vëmemndjes, Madridi po bën thirrje që aleanca të përgatitet për mundësinë e shpërthimit të ndonjë krize të re në një vend tjetër.

Muajin e kaluar qindra emigrantë u munduan të çajnë gardhin kufitar të Marokut me enklavën spanjolle Melilla.

Të paktën 23 persona vdiqën.

Emigrantët, shumica prej të cilëve afrikanë nga jugu i Saharasë, kërkojnë dëshpërimisht të futen në Evropë.

Shumë mbërrijnë me varka në Ishujt Kanarie të Spanjës.

Madridi frikësohet se dyndja në kufijtë e tij mund të përkeqësohet.

Sulmi rus kundër Ukrainës ka ulur me dy të tretat eksportet e grurit.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se kjo do të përkeqësojë krizën tashmë të rënduar të urisë në Afrikë.

Evropa po përgatitet për shtim të emigrantëve.

“Kërkuam të dimë nëse lëvizjet janë shtuar për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së grurit. Na është thënë se për momentin kjo nuk është arsyeja, por është vetëm çështje kohe”, thotë Txema Santana, këshilltar për migracionin në Qeverinë e Ishujve Kanarie.

Madridi paralajmëron se migrimi mund të përdoret si taktikë trysnie nga “aktorë armiqësorë”.

Militantizmi islamik i ringjallur në pjesë të rajonit të Sahelit po nxitë gjithashtu migracionin. Evropa thotë se mercenarët rusë nga grupi Wagner po e përkeqësojnë konfliktin.

“Është e qartë se në disa vende të Sahelit ndodhen pjesëtarë të grupit Wagner dhe trupa të tjera të huaja. Sahelit nuk i duhen trupat e huaj, por zhvillim dhe qëndrueshmëri”, thotë ministri i jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares.

Spanja po kërkon ndihmë ndërkombëtare. Në mars ajo arriti marrëveshje me Marokun për të penguar migrimin e parregullt.

Kritikët e akuzojnë Madridin se ia ka lënë në dorë praktikat e migrimit një vendi që ka abuzuar në të kaluarën me të drejtat e njeriut. Qeveria marokene i mohon akuzat.

Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Madrid, Spanja arriti të bindë aleancën të njohë zyrtarisht kërcënimet që burojnë nga Afrika e Veriut.

“Është një nga shqetësimet kryesore të Evropës, për shkak të paqëndrueshmërisë dhe krizës që vjen nga migrimi i parregullt, terrorizmi, kriza e ushqimit, energjisë dhe urgjenca klimatike”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Ndërkohë, forcat e NATO-s dhe BE-së zhvilluan stërvitje të përbashkëta në brigjet spanjolle dhe afrikano-veriore.

Banorët në qytetin spanjoll Tarifa panë nga afër manovrat.

“Rajoni i Maghrebit është zonë e paqëndrueshme ku në çdo moment mund të shpërthejë ndonjë konflikt”, thotë një banor i Tarifas.

Spanja thotë se nuk po kërkon ndërhyrjen e NATO-s në Afrikën Veriore – por njohjen e kërcënimeve të ndryshme nga atje.

Shumë anëtarë të NATO-s thonë lufta në Ukrainë tregon domosdoshmërinë që aleanca të jetë më e përgatitur për krizat e së ardhmes. Në jug të Evropës, aleatët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria në Afrikën e Veriut mund të jetë një problem i madh i radhës.rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme