Spanja ngre alarmin për rastet e reja të hepatitit misterioz te fëmijët

09:35 | 1 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Spanja ka regjistruar 30 raste të hepatitit akut me origjinë të panjohur që nga fillimi i këtij viti, sipas një raporti të ri nga Ministria e Shëndetësisë e vendit.

Sëmundja misterioze prek kryesisht fëmijët e vegjël, transmeton portal arbresh.info

24 fëmijët e sëmurë me hepatit në Spanjë janë nën moshën 10 vjeç e më pak. Asnjë nga pacientët nuk ka lidhje me njëri-tjetrin, thekson ministria dhe nuk është konstatuar asnjë lidhje epidemiologjike mes rasteve.

“Nevojitet monitorim intensiv dhe hetime të vazhdueshme për të konfirmuar ose përjashtuar nëse ka një rritje të rasteve me hepatit të panjohur në krahasim me atë që pritet”, deklaroi ministria.

Gjetjet sugjerojnë se sëmundja në fakt u shfaq shumë përpara fillimit të prillit, kur u raportuan raste të hepatitit akut në disa vende, kryesisht europiane, si dhe në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në periudhën nga 5 prilli deri më 26 maj, janë raportuar rreth 650 raste të dyshuara me këtë sëmundje tek fëmijët dhe 99 raste të tjera janë nën hetim.

Hepatiti akut deri më tani është zbuluar në 33 vende, tha Organizata e Shëndetësisë e OKB-së, duke shtuar se shkencëtarët në mbarë botën nuk i kanë përcaktuar ende shkaqet.

Organizata u bëri thirrje anëtarëve të saj që të rrisin kërkimin mbi natyrën dhe shkaqet e hepatitit, duke vënë në dukje se mbetet e paqartë nëse numri i rasteve të raportuara është jonormal apo mbetet brenda bazës së zakonshme./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme