Në Spanjë këtë vit kanë mbërritur më shumë se 42,000 emigrantë të parregullt, një rritje prej dy të tretave krahasuar me një vit më parë. Shumica mbërrijnë në Ishujt Kanarie të Spanjës, rreth 100 kilometra nga vija bregdetare afrikane. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, rreth 6,000 emigrantë humbën jetën vitin e kaluar gjatë udhëtimit të rrezikshëm.
Për shumë emigrantë, ëndrra për një jetë më të mirë në Evropë i tejkalon rreziqet.
Zëri i Amerikës bisedoi me 22-vjeçarin Macire Konare i cili mbërriti në Spanjë nga shteti afrikan, Mali.
“Nëse vini këtu, duhet të shkolloheni, të mësoni dhe të flisni me njerëzit. Duhet të jesh njeri i hapur, veçanërisht si emigrant. Duhet të bëni përpjekje të dyfishta dhe kjo është ajo që po bëjmë”.
Emigrantët shpresojnë për një jetë më të mirë. Qeveria spanjolle po ashtu e shikon emigracionin si një mundësi ekonomike.
Si në shumë vende perëndimore, popullsia e Spanjës po plaket me shpejtësi. Ajo ka nevoja të mëdha për një krah të ri pune për të ndërtuar ekonominë dhe për të paguar taksat. Vitin e kaluar, shkalla e lindjeve në Spanjë arriti nivelin më të ulët ndonjëherë, nën 1.2, ndër më të ulëtat në Evropë.
Gjatë një takimi të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se emigracioni është jetik.
“Konkurrenca jonë e tanishme dhe e ardhshme, rritja ekonomike e vendit tonë, qëndrueshmëria e modelit tonë të mirëqenies varet gjithashtu nga migrimi. Duhet të menaxhojmë flukset e emigracionit nga perspektiva e sfidës demografike”.
Mes rritjes së mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në Evropë, shumë vende të bllokut duan kontrolle më të ashpra të migracionit. Arritja e një ekuilibri nuk do të jetë e lehtë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Jesus Verdu Baeza, profesor në Universitetin e Kadizit.
“Jemi një shtet me vlera dhe duam një ekuilibër mes kontrollit të emigracionit dhe një rruge ligjore për ardhjen e azilkërkuesve dhe respektimin e të drejtave të tyre. Kemi nevojë për ta. Pa emigrantët nuk mund të kemi fruta në dyqane. Ekonomia nuk mund të funksionojë siç duhet. Kemi nevojë për emigrantë”.
Si pjesë e qasjes së saj të re, Spanja po harton një “strategji për Afrikën” duke u përqendruar tek ajo që e cilëson si transformim ekonomik dhe social të kontinentit.
Ndërsa kërkon të lehtësojë emigracionin në bazë të rregullave, Spanja po përpiqet të ndalojë hyrjen e emigrantëve të parregullt. Ajo kërkon që “Frontex”, agjencia kufitare e BE-së, të kërkojë leje për të patrulluar brigjet afrikane dhe të ndalojë varkat e emigrantëve.
Shumë emigrantë janë traumatizuar nga udhëtimi. Një prej tyre është edhe marokeni 21-vjeçar, Ahmed Qarrab.
“Një këshillë për bashkatdhetarët dhe miqtë: Mos udhëtoni me varka të vogla, sepse janë shumë të rrezikshme”.
Spanja kërkon një zgjidhje afatgjatë për emigracionin që funksionon për Afrikën dhe Evropën. Por shpresa për një jetë më të mirë vazhdon të tërheqë dhjetëra mijëra njerëz nëpër ujërat e rrezikshme./VOA
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...