Google ADS

Spanja dhe Italia ashpërsojnë masat kundër koronavirusit

23:06 | 25 Tetor 2020
Trina Galanxhi

Spanja ka shpallur emergjencën e jashtëzakonshme dhe shtetrrethim në mënyrë që të godasë përhapjen e koronavirusit, ndërsa Italia ka marrë masa më të ashpëra që nga bllokimi i saj kombëtar.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka njoftuar se  vendi do të hyjë në shtetrrethim nga ora 23:00 deri në orën 6 të mëngjesit dhe do të zgjasë gjashtë muaj, shkruan Nju Jork Post, transmeton portal arbresh.info

“Realiteti është se Europa dhe Spanja janë zhytur në valën e dytë të pandemisë”, tha Sanchez në një fjalim mbarëkombëtar. “Situata në të cilën po jetojmë është ekstreme”.

Shtetrrethimi nuk vlen për njerëzit që janë në udhëtim për punë, ose për ata që janë duke blerë ilaqe dhe duke u kujdesur për anëtarët e moshuar të familjes.

Urdhri gjithashtu nuk do të vendoset në Ishujt Kanarie, ku shkalla e infeksionit mbetet e ulët pavarësisht kërcimit me më shumë se një të tretën në vend gjatë javës së kaluar.

Sanchez vuri në dukje se dekreti i ri nuk është aq kufizues sa izolimi i detyrueshëm në shtëpi që ai urdhëroi në mars, i cili zgjati gjashtë javë.

“Nuk ka izolim total në këtë gjendje të jashtëzakonshme, por sa më shumë që qëndrojmë në shtëpi, aq më të sigurtë jemi”, shtoi ai.

Ndërkohë, në Itali, kryeministri Giuseppe Conte urdhëroi që palestrat, pishinat, teatrot dhe kinematë të mbyllen të hënën deri më 24 nëntor.

Nën valën e re të kufizimeve, të gjitha baret dhe restorantet në të gjithë vendin do të duhet gjithashtu të mbyllen në orën 6 të pasdites, tha Conte.

“Stresi në sistemin shëndetësor ka arritur në nivel shqetësues”, tha ai.

Conte tha se kufizimet e reja janë më të lehta se masat që u morrën në mars.

“Qëllimi ynë është të mbrojmë shëndetin dhe ekonominë,” tha Conte.

Zyrtarët italianë thanë të shtunën se rastet e reja janë rritur me 19,664 në 24 orët e fundit.

“Këto janë ditë të vështira,” tha Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza. “Kurba e infektimit po rritet në botë. Dhe në të gjithë Europën vala është shumë e lartë. Ne duhet të reagojmë menjëherë dhe me vendosmëri nëse duam të shmangim numrat e paqëndrueshëm”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme