Soylu: Gjermania dhe Holanda do të pranojnë shtetasit e tyre, pjesëtarë të ISIS’it

12:05 | 13 Nëntor 2019
Arbresh.info

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu lidhur me ekstradimin e pjesëtarëve të DEASH-it tha se “Gjermania dhe Holanda kanë deklaruar se do të pranojnë pjesëtarët e DEASH-it, me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre që u përkasin vendeve të tyre”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një fjalimi në një seminar në qytetin Van të Turqisë, ministri Soylu vuri në dukje se po i rikthejnë dhe pa bërë dallime pjesëtarët e DEASH-it, pavarësisht se vendet e tyre nuk po tregojnë qasje për t’i pranuar. “Nuk shohim se cili dhe kush mbështet. Ne kemi një politikë tonën dhe e zbatojmë atë pa tolerime. Ata që tërhiqen nga rruga jonë tërhiqen ndërsa ata që nuk tërhiqen përballen me pasojat”, theksoi Soylu.

“Do të doja të shpreh falënderimet e mia për dy vende, njëra Gjermania dhe tjetra Holanda”, tha Soylu duke vazhduar më tej:

“Kanë shprehur një qëndrim konstruktiv si rezultat i bisedimeve dhe vlerësimeve që kemi bërë prej rreth 5 ditësh me ministrin e Brendshëm të njërit dhe ministrin e Drejtësisë të vendit tjetër. Që nga mbrëmë kanë konfirmuar se çdo vend do të pranojë pjesëtarët terroristë të DEASH-it bashkë me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre që janë shtetas të vendeve të tyre, përfshirë këtu pjesëtarët e DEASH-it që ndodhen në vendin tonë, ata që aktualisht ndodhen nën vëzhgimin tonë në Ras Al-Ayn dhe Tel Abyad në Siri si dhe ata që janë kapur nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria Kombëtare Siriane dhe ndodhen nën vëzhgimin tonë në Jarabulus dhe Azez”.

Soylu tha se do të vazhdojnë në mënyrë të vendosur luftën e tyre kundër terrorizmit. “Dëshiroj të shpreh që të njëjtin bashkëpunim dhe afërsi presim edhe nga vendet e tjera. Nëse luftojmë të gjithë së bashku kundër terrorizmit atëherë çdo kush duhet të interesohet për terroristin e tij. Ne nuk jemi as hoteli dhe as bujtina e terroristëve të askujt”, potencoi Soylu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme