Socialisti Pedro Sanchez do të jetë kryeministri i ri i Spanjës, pas shkarkimit nga ky post të Mariano Rajoy-it. Parlamenti votoi në favor të një mocioni mosbesimi, shkaktuar nga një proces i gjatë gjyqësor që përfshinte anëtarë të partisë së qendrës së djathtë së Mariano Rajoy-it.
Kryeministri i ri i Spanjës tha se do të punojë për modernizimin dhe transformimin e vendit, në një moment kompleks politik.
Mocioni i mosbesimit u kërkua nga shefi socialist i opozitës, Pedro Sanchez i cili mori sot 180 vota pro tij, 169 kundër dhe 1 abstenim. Por largimi i Mariano Rajoy-it, pas gjashtë vitesh në pushtet e vendos një nga pesë ekonomitë e para të Bashkimit Evropian në terren të pasigurt politik, sikurse Italinë që ndodhet përballë zgjedhjeve të parakohshme. Por në një kohë kur në Spanjë shumica e partive spanjolle dhe ajo e drejtuar nga Pedro Sanchez janë pro-evropiane, investitorët shohin më pak rrezik politik sesa në Itali.
Kryeministri i ri i vendit tha se do të punojë për ta modernizuar dhe tranformuar Spanjën.
“Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam në një moment kompleks politik për vendin. Ajo çka mund të them është se veç faktit që do të jem plotësisht i vetëdijshëm për këtë, do të përballoj të gjitha sfidat e vendit tonë me përulësi dhe përkushtim. Do të angazhohem me shumë vendosmëri, së pari për të transformuar dhe modernizuar vendin, gjë që Partia Socialiste gjithmonë e ka bërë kur ka qenë në qeveri dhe së dyti për të marrë pjesë në çështjet urgjente sociale të shumë njerëzve që jetojnë në kushte të pasigurta dhe vuajnë nga pabarazia. Do ta bëj këtë me konsensus, me përulësi, me shumë punë dhe angazhim “.
Kreu i Partisë Socialiste Pedro Sanchez bëhet kryeministri i shtatë që nga koha kur Spanja rivendosi demokracinë në fund të viteve ‘70 pas diktaturës së Francisco Franco. Dje ai tha se do të përpiqet të qeverisë deri në fund të mandatit parlamentar, në mesin e 2020-s. Por është e paqartë se sa kohë mund të zgjasë qeverisja e tij në një kohë kur në Asamblenë Legjislative janë vetëm 84 deputetë socialistë nga 350 anëtarë gjithsej të saj./VoA/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?