Google ADS

Snajperi ukrainas thyen rekordin botëror për vrasjen në distancë më të gjatë – viktimë, një ushtar rus

07:22 | 20 Nëntor 2023
E.H

Një snajper ukrainas ka thyer rekordin botëror për distancë, teksa ka vrarë një ushtar rus, tha shërbimi i sigurisë së Kievit për mediat ukrainase të shtunën.

Sipas mediave ukrainase, bëhet fjalë për një snajper ukrainas që punonte për Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) vrau një ushtar rus në një distancë prej 3.8 kilometrash.

Ndryshe, në vitin 2017, një snajper i forcave speciale kanadeze kishte mbajtur rekordin për vrasjen në një distancë prej 3,540 metrash në Irak.

Snajperi britanik Craig Harrison e kishte mbajtur më parë titullin pasi vrau një luftëtar taleban në Afganistan në vitin 2009, duke goditur nga një distancë prej 2,475 metrash.

“Snajperi i SBU vendosi një rekord botëror për një goditje të suksesshme”, citohet të ketë thënë zyra e shtypit e SBU për mediat ukrainase, shkruan Newsweek.

“Snajperët e SBU po ndryshojnë rregullat e snajperizmit në botë, duke demonstruar aftësinë për të punuar në mënyrë efektive në distanca fantastike”, ka vlerësuar SBU.

Ndërkohë, mediat shpërndanë gjithashtu pamje që supozohet se tregonin goditjen rekorde.

Siç thuhet më tej, gjuajtja është bërë me një pushkë të prodhimit vendas.

Ukraina po shkon në muajin e 21-të të luftës së saj kundër Rusisë, pasi kjo e fundit filloi agresionin në shkurt të vitit 2022.

Lufta është përshkruar më parë si një luftë artilerie, por snajperët kanë luajtur gjithashtu një rol kyç në fushën e betejës. /Telegrafi/

Të ngjashme