Ishte dita e Vitit të Ri 2008 dhe Sllovenia e vogël kishte marrë përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, për herë të parë.
Brukseli ishte në atmosferë festive, pasi po bëhej histori. Ishte hera e parë që një nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, që i ishte bashkuar klubit më pak se katër vjet më herët, ishte në krye të Këshillit të Bashkimit Evropian – institucionit më të fuqishëm të bllokut.
Pasi kishte fituar pavarësinë vetëm 17 vjet më parë, gjatë një lufte të shkurtër, por të suksesshme në fillim të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Sllovenia ishte i vetmi vend në rajon që gjykohej se ishte i gatshëm për t’iu bashkuar BE-së në atë kohë.
Një vit para presidencës së saj, Sllovenia kishte miratuar edhe euron. Pra, në shumë mënyra, historia e saj e suksesit shihej si shenjë se Brukseli po bashkonte një kontinent në paqe dhe prosperitet, pas dekadave të Luftës së Ftohtë dhe luftërave të përgjakshme në vitet 1990.
Lubjana e kaloi gjysmën e saj të parë të vitit me lëvdata. Të udhëhequr nga luftëtari i tyre mitik për liri, kryeministri Janez Jansha, diplomatët sllovenë janë treguar të aftë në drejtimin e Këshillit, njësoj sikurse homologët e tyre me përvojë nga Franca, Gjermania apo Italia.
Natyrisht se ka pasur disa ulërima për situatën e mediave në Slloveni, por ato janë tejkaluar shpejt me lëvdatat se si ky vend është treguar i zgjuar kur Kosova ka shpallur pavarësinë – vetëm disa javë pasi Lubjana ka marrë presidencën e BE-së – dhe sa bindshëm i ka çuar përpara politikat e lidhura me zgjerimin e BE-së dhe integrimin ekonomik.
Por, më 1 korrik, 2021, pamja është krejt ndryshe. Kur Sllovenia të marrë udhëheqjen e Këshillit për herë të dytë, vetëm një gjë mbetet e njëjtë: Jansha – kryeministër. Është e drejtë të thuhet se ai ka ndryshuar, ashtu si edhe Sllovenia, edhe Bashkimi Evropian.
Në qarqet e BE-së, Jansha sot njihet si “marshall Tweeto”, për shkak të postimeve të tij shpesh të paparashikueshme, por shpesh të ashpra në rrjetet sociale, ose si “mini-Orban”, për shkak të miqësisë së tij me kryeministrin kontrovers të Hungarisë.
Retorika e Janshës dhe kthimi i tij kah e djathta në vitet e fundit kanë bërë që disa diplomatë të kenë frikë se Lubjana është duke lëvizur gjithnjë e më shumë në drejtimin e njëjtë sikurse Hungaria dhe Polonia. Dy të fundit janë përfshirë në beteja me BE-në, për shkak të pavarësisë së mediave dhe çështjeve të shumta të sundimit të ligjit.
Kritikët pranojnë se Sllovenia nuk është ende në të njëjtën kategori me këto dy vende, por ka gjithnjë e më shumë prova se gjërat nuk janë në rregull.
Kur shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë kritikuar kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për ligjin e tij të fundit anti-LGBT, Jansha i ka dhënë mbështetje.
Ai i ka pezulluar fondet për agjencinë kombëtare të lajmeve STA; ka refuzuar të finalizojë procedurën për emërimin e prokurorëve sllovenë, të deleguar për Zyrën e sapothemeluar të Prokurorit Publik Evropian; ka uruar Donald Trumpin për “rizgjedhjen” president i SHBA-së në nëntor të vitit 2020 dhe ka propozuar krijimin e një instituti evropian për të drejtën kushtetuese, që do t’i zgjidhte mosmarrëveshjet midis Brukselit dhe kryeqyteteve kombëtare për çështje të sundimit të ligjit, në vend të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Sllovenia dhe udhëheqësi i saj kanë ndryshuar ndjeshëm, por po ashtu edhe Bashkimi Evropian. Dhe ndoshta për të mirë në këtë rast.
Disa kohë pas presidencës së parë sllovene në BE, ka hyrë në fuqi Traktati i Lisbonës, duke krijuar një numër pozicionesh dhe reformash institucionale në Bruksel.
Fillimisht ka zvogëluar fuqinë e presidencave, duke zgjedhur një president të përhershëm të Këshillit dhe një shef të politikës së jashtme të BE-së, që tani janë në krye të samiteve të BE-së, përkatësisht Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.
Kjo e ka zhvendosur vëmendjen nga shumë udhëheqës kombëtarë dhe e ka ndihmuar Brukselin të merret me presidenca të tjera – potencialisht të vështira, të tilla si ajo e Hungarisë dhe e Rumanisë së voni.
Madje edhe agjenda e Këshillit përcaktohet nga një “presidencë e trefishtë”, në të cilën Sllovenia bashkëpunon me dy vendet që kanë udhëhequr BE-në paraprakisht – në këtë rast Gjermaninë dhe Portugalinë.
Megjithatë, ekziston ende njëfarë nervozizmi në korridoret e Brukselit. Diplomatët sllovenë dhe disa ministra, në fund të fundit, do t’i udhëheqin proceset, duke u kujdesur për të shtyrë përpara legjislacione të caktuara. Këtu ka frikë se Jansha mund të përpiqet t’i ngadalësojë gjërat ose të helmojë atmosferën me postimet e tij në Twitter. Gjithashtu ka shqetësime për perceptimin e publikut se dikush si ai do të përpiqet të luajë presidentin e BE-së për një kohë.
Derisa frika për Janshën në Bruksel mund të jetë e kuptueshme, shumë analistë e shohin atë edhe si keqardhje.
Sllovenia ka thënë se do t’i shtyjë përpara shumë çështje që Ballkani Perëndimor i ka dëshiruar prej kohësh, të tilla si anëtarësimi në Shengen për Bullgarinë, Kroacinë dhe Rumaninë dhe integrimi më i shpejtë në BE i vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor.
Sindikalistët e shëndetësisë njofton për protestën e radhës ...
Dy shqiptarë të nominuar për çmimet vjetore të FIFA-s
Rumania fillon rinumërimin e votave pas akuzave për shkelje ...
Bebushja Luna Mari Ejlli rrëmben vëmendjen me veshje kombëta...
Hovenier: Falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në...
Sveçla: Sulmet në veri, dëshpërim i bandave të dirigjuara ng...