Google ADS

Sllovakia kërcënon ta shkurtojë mbështetjen për refugjatët ukrainas

12:24 | 4 Janar 2025
E.K

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka kërcënuar se do të shkurtojë mbështetjen financiare për më shumë se 130 mijë refugjatë ukrainas, pasi një mosmarrëveshje me Ukrainën mbi furnizimet me gaz rus është përshkallëzuar.

Më 1 janar, Kievi mbylli një tubacion që për dekada u përdor për të furnizuar Evropën Qendrore me gaz natyror rus. Sllovakia kishte qenë pika kryesore e hyrjes dhe vendi tani po humbet miliona euro në tarifat e tranzitit.

Fico – i cili në dhjetor bëri një vizitë të papritur në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin – e përshkroi lëvizjen e Kievit si “sabotim”.

Kryeministri i shtetit të BE-së tha se do të propozojë ndalimin e eksporteve të energjisë elektrike në Ukrainë dhe gjithashtu “uljen e mprehtë” të mbështetjes financiare për ukrainasit që kanë gjetur strehim në Sllovaki. Ai tha se nuk kishte rrezik që vetë Sllovakia të vuante nga mungesa e gazit, pasi ajo kishte bërë tashmë marrëveshje alternative.

Por Fico shtoi se vendimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të mbyllur tubacionin do t’i privonte Sllovakinë 500 milionë euro në tarifat e transitit nga vendet e tjera.

Ai tha se partia e tij ishte e gatshme të debatonte “ndalimin e furnizimeve me energji elektrike” dhe “uljen e ndjeshme të mbështetjes për qytetarët ukrainas në Sllovaki”.

Muajin e kaluar Zelensky akuzoi Fico se ka ndihmuar Putinin të “financojë luftën dhe të dobësojë Ukrainën”.

Polonia në anën tjetër ka ofruar të mbështesë Kievin në rast se Sllovakia ndërpret eksportet e saj të energjisë elektrike – furnizime që janë thelbësore për Ukrainën, termocentralet e së cilës sulmohen rregullisht nga Rusia.

Qeveria e Polonisë e quajti mbylljen e furnizimit me gaz rus nga ana e Ukrainës “një fitore tjetër” kundër Moskës, ndërsa Komisioni Evropian tha se BE-ja ishte përgatitur për ndryshimin dhe shumica e shteteve mund ta përballonin. Rusia ende mund të dërgojë gaz në Hungari, Turqi dhe Serbi përmes tubacionit TurkStream përmes Detit të Zi./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme