Presidenti Joe Biden thotë se ai dhe kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz janë të një mendimi për hapat që duhen ndjekur lidhur me situatën e rrezikshme në Ukrainë, ku perspektiva e një pushtimi rus shqetëson gjithë Evropën. Të dy udhëheqësit zhvilluan takimin e tyre të parë kokë më kokë të hënën.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë plotësisht dakort për imponimin e pasojave të ashpra nëse Rusia pushton Ukrainën fqinje, tha të hënën presidenti Joe Biden, në fund të takimit të tij të parë ballë për ballë me udhëheqësin e ri të Gjermanisë.
Takimi mbahet ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa përgjatë kufirit të Ukrainës. Zoti Putin thotë se dëshira e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO kërcënon Rusinë. Ai ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara, anëtari më i fuqishëm i NATO-s, të ndalojë hyrjen e Ukrainës në aleancë. Shtetet e Bashkuara thonë se zgjedhja është e Ukrainës.
Të dielën, rreth 1700 ushtarë elitë amerikane mbërritën në Poloninë juglindore, pranë kufirit me Ukrainën. Presidenti Biden thotë se ai beson se një zgjidhje diplomatike është ende e mundur dhe se partnerët e NATO-s nuk e shohin veprimin ushtarak si opsionin e parë.
“Sot, kancelari dhe unë diskutuam bashkëpunimin tonë të ngushtë, hartuam një paketë të fortë sanksionesh që do të demonstrojnë qartë vendosmërinë ndërkombëtare dhe do të imponojnë pasoja të shpejta dhe të rënda nëse Rusia shkel sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial. Dua të falënderoj Gjermaninë dhe të gjithë partnerët tanë në Evropën Lindore, në Bashkimin Evropian, për punën e tyre në këtë përpjekje të përbashkët. Ramë dakord se nuk mund të jetë pa pasoja nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ra dakord, por nuk kërcënoi se do të ndalonte gazsjellësin Nord Stream 2. Gazsjellësi ende i painauguruar ka kapacitetin të dërgojë 55 miliardë metra kub gaz natyror nga Rusia në Evropë çdo vit.
“Ne u themi miqve tanë amerikanë: Do të jemi të bashkuar, do të veprojmë së bashku dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm”, tha kancelari gjerman.
Nga ana e tij, Presidenti Biden i siguroi gazetarët se gazsjellësi do të ndalohej dhe sqaroi çfarë do ta nxiste këtë vendim.
“Nëse Rusia pushton – që do të thotë tanke ose trupa që kalojnë kufirin e Ukrainës, përsëri – atëherë nuk do të ketë më një Nord Stream 2. Ne do t’i japim fund projektit”.
Ish-kancelarja Angela Merkel nuk ishte dakord me Presidentin Biden lidhur me gazsjellësin.
Kancelari Scholz mund ta ndryshojë këtë qëndrim megjithëse ka të ngjarë të ndjekë politikat e zonjës Merkel për çështje të tjera.
“Kjo marrëveshje për energjinë është shumë më e gjerë sesa thjesht një gazsjellës. Dhe me sa duket dallimet janë ngushtuar, sepse qeveria gjermane dhe vetë kancelari Scholz e kanë pranuar se në rast të agresionit rus kundër Ukrainës, edhe gazsjellësi Nord Stream 2 do të ishte çështje e hapur”, thotë Jeffrey Rathke, me Institutin Amerikan për Studime Bashkëkohore gjermane.
Pasojat do të ishin të rënda për ata që vështirë se mund ta përballojnë një goditje të tillë.
“Pensionistët janë pa ngrohje dhe të uritur, në shumë raste. // Ne, si organizatë humanitare në terren bëjmë thirrje që kjo lojë strategjike ushtarake politike shahu, që përfshin Moskën, Minskun, Brukselin dhe Uashingtonin dhe kryeqytete të tjera, të përqendrohet në ndihmën e njerëzve të mbijetojnë në terren, duke i mbrojtur, dhe të shmangin një konflikt të pakuptimtë. Të gjithë do të humbnin nga konflikti, por, para së gjithash, 2 milionë njerëzit që jetojnë 20 kilometra larg vijës së frontit”, thotë Jan Egeland me Këshillin Norvegjez për Refugjatët.
Po të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron u takua me presidentin rus, si pjesë e përpjekjes për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Kancelari Scholz do të udhëtojë javën e ardhshme në Kiev dhe prej andej në Moskë. /VOA
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...