Situata në Rusi, Blinken bisedon me ministrat e G7-ës

16:39 | 24 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Situata e fundit në Rusi ka nxitur reagimin e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha përmes një njoftimi në rrjetin Twitter se kishte biseduar me ministrat e jashtëm të G7-ës dhe ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian mbi situatën në Rusi.

“Shtetet e Bashkuara do të koordinohen ngushtë me aleatët dhe partnerët në ndjekje të situatës”, shkroi zoti Blinken në Twitter.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mathew Miller tha përmes një deklarate se gjatë bisedës me ministrat e G7-ës zoti Blinken kishte përsëritur se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën nuk do të ndryshojë.

Rrjeti BBC njoftoi mbledhjen e komitetit të emergjencës së qeverisë britanike, njohur si Cobra, për të diskutuar mbi situatën në Rusi.

Të shtunën Kryeministrin britanik Rishi Sunak tha gjatë një interviste me gazetaren e BBC-së, Laura Kuenssberg se do të bisedonte me të gjithë aleatët, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt në Rusi që të shmangin lëndimin e popullsisë civile.

Po ashtu, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Gjermanisë njoftoi se “ministrja Annalena Baerbock diskutoi mbi situatën me homologët e G7-ës”, dhe se është thirrur një takim i ekipit për menaxhimin e krizave në qeverinë e Gjermanisë.

Përmes një deklarate, Kremlini njoftoi se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. “Presidenti Erdogan mbështeti veprimet e qeverisë së Rusisë ndaj rebelimit të grupit mercenar të armatosur Wagner”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Presidenca turke tha përmes një njoftimi se zoti Erdogan e kishte nxitur homologun Putin të vepronte me maturi dhe se Turqia ishte e gatshme të jepte kontributin e saj për të zgjidhur në mënyrë paqësore situatën./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme