Google ADS

Siri/ Refugjatët kthehen në vend pas rënies së Assadit, disa vende “ngrijnë” kërkesat për azil

08:36 | 11 Dhjetor 2024
E.G

Mijëra refugjatë, ata që kaluan kufirin e Sirisë, si dhe shumë nga brenda, po kthehen në Damask, pas rënies së regjimit të Assadit.

Euforia në vend pas zhvillimeve të stuhishme të fundjavës është e dukshme. Kolonat e makinave që kthehen në Damask janë gjithashtu të mëdha. Megjithatë, pas rënies së Bashar al-Assad, disa vende evropiane kanë pezulluar shqyrtimin e kërkesave siriane për azil.

Evropa “ngrin” kërkesat për azil për sirianët

Qeveria e përkohshme e Austrisë ka ndaluar të gjitha kërkesat për azil nga sirianë dhe thotë se po bën plane për të riatdhesuar ose deportuar njerëzit në vendin e tyre, duke argumentuar se situata në vend ka ndryshuar rrënjësisht.

Gjermania (shtëpia e një milion sirianë), Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se do të ndalojnë vendimet për azilin për momentin. Danimarka, Norvegjia dhe Suedia kanë njoftuar nga ana tjetër se po pezullojnë shqyrtimin e kërkesave për azil për refugjatët sirianë.

Që nga viti 2011, sipas OKB-së, më shumë se 14 milionë sirianë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë.

Ndërkohë, mijëra sirianë të mërguar në Liban dhe Jordani po kthehen në shtëpi. Por në kufirin libanez, fluksi ishte në të dy drejtimet.

Turqia ndihmon në kthimin e refugjatëve

Turqia po forcon aftësitë e saj në pikat kufitare me Sirinë, në mënyrë që refugjatët sirianë të kthehen më lehtë në atdheun e tyre, tha ministri i Brendshëm.

“Deri tani kemi pasur një kapacitet prej 3000 kalimesh në ditë dhe e kemi rritur në 15-20000”, tha Ali Gerlikaya.

Shumë refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi nxituan në jug të vendit për t’u kthyer në Siri sapo u bë e ditur se Bashar Al-Assad ishte rrëzuar. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi të hënën rihapjen e pikës kufitare Yalantagi në provincën Hatay, e cila ishte e mbyllur që nga viti 2013./abcnews.al

Të ngjashme