Google ADS

SIPRI: Bota po rrëshqet drejt një epoke të re rreziku

08:36 | 23 Maj 2022
arbresh.info

Liderët botërorë janë duke dështuar që të përgatiten për një epokë të re komplekse dhe shpesh të paparashikueshme për paqen, teksa rreziqet për mjedisin dhe sigurinë sa shkojnë e rriten, thuhet në një raport të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime rreth Paqes (SIPRI), me bazë në Stokholm.

Raporti, i titulluar “Ambienti i Paqes: Siguria në epokën e re të rreziqeve”, ofron disa rekomandime për ligjvënësit, për të tejkaluar këtë periudhë paqëndrueshmërie.

Raporti tregon në detaje sesi krizat në ambient – përfshirë ndryshimet klimatike, shkatërrimet masive dhe mungesa e burimeve – janë duke ndërvepruar me horizontin e zymtë të sigurisë dhe me fenomene tjera sikurse pandemia e koronavirusit.

Më shumë se 30 hulumtues nga SIPRI dhe institucione tjera kanë kontribuuar në këtë raport, të udhëhequr nga Margot Wallstrom, ish-ministre për Punë të Jashtme në Suedi dhe Komisionare evropiane për Ambientin.

Rreziqet komplekse
Raporti ka në fokus përshkallëzimin e krizës së sigurisë.

Shembull, përmendet se në periudhën 2010-2020, numri i konflikteve të armatosura shtetërore është dyfishuar (56), ashtu sikurse numri i vdekjeve si pasojë e konflikteve.

Numri i njerëzve të dëbuar me forcë, po ashtu është dyfishuar, duke shkuar në 82.4 milionë.

Më 2020, numri i kokave bërthamore është rritur pas disa vitesh punë për zvogëlimin e tyre, dhe më 2021 shpenzimet për ushtritë në botë kanë tejkaluar shifrën e 2 trilionë dollarëve, për herë të parë në histori.

Sa u përket krizave të ambientit, rreth një çerek i të gjitha gjallesave janë në rrezik të zhdukjes, kualiteti i tokës është në rënie dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore është në nivele të paqëndrueshme.

“Ndryshimet klimatike po rezultojnë me stuhi dhe valë të të nxehtit, duke rritur rrezikun për korrje në shkallë të gjerë”.

Bashkëpunimi është realizmi i ri
Dekada e fundit është përcjellë me rritje të tensioneve gjeopolitike, dhe ato me raste janë përshkallëzuar edhe mes shteteve të mëdha, thuhet në raport.

Sipas tij, është popullizmi është në rritje.

Hartuesit e raportit besojnë se bashkëpunimi është kyç për të menaxhuar krizat e ambientit dhe ato të sigurisë.

“Asnjë qeveri nuk mund të garantojë mirëqenie për qytetarët dhe siguri ndaj krizave globale, pa pasur bashkëpunim ndërkombëtar”, ka thënë Helen Clark, ish-kryeministre e Zelandës së Re dhe anëtare e panelit.

“Në fakt, bashkëpunimi është realizmi i ri”.

Përgatitja për të papriturën
Pandemia e koronavirusit ka theksuar nevojën që shtetet të jenë të përgatitura për situata që kanë potencial shkatërrues.

Shembull, duke mësuar nga përvoja me shpërthimin e virusit SARS më 2002, Koreja Jugore ka arritur ta ketë shkallën e vdekshmërisë nga COVID-19 në nivele më të ulëta për gati 10 për qind, në krahasim me shtetet që kanë numër të ngjashëm të popullsisë përgjatë dy viteve të para të pandemisë.

Përveç ruajtjes së jetëve, këto praktika i kanë mundësuar Koresë Jugore që të menaxhojë destabilizimin e ekonomisë dhe ndikimin social, në krahasim me shtetet që nuk janë përgatitur për kriza, pavarësisht paralajmërimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Pandemia na tregon qartë për rreziqet që shfaqen kur vendosim të mos përgatitemi”, ka thënë Margot Wallstrom.

“Teksa krizat ambientale dhe ato të sigurisë përkeqësohen, qeveritë duhet të vlerësojnë rreziqet që lidhen me to, të zhvillojnë kapacitete për luftim të tyre dhe të bëjnë shoqëritë më fleksibile. Shtetet më të varfra kanë nevojë për përkrahje ndërkombëtare dhe duhet ta marrin atë”.

Rëndësia e tranzicioneve paqësore

Për të luftuar ndryshimet klimatike dhe krizat tjera më të mëdha për ambientin, qeveritë në gjithë botën duhet të bëjnë tranzicione të mëdha në sektorin e energjisë dhe atë për shfrytëzim të tokave.

Mbajtja e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius, siç e parasheh Marrëveshja e Parisit për Klimën, nënkupton ndaljen e plotë e emetimeve të karbonit brenda tri dekadave.

Në fushën e biodiversitetit, qeveritë janë duke diskutuar iniciativa sikurse 30×30, e cila nënkupton mbrojtjen e 30 për qind të tokave dhe oqeaneve në botë deri më 2030.

Në raportin e SIPRI-t thuhet se këto tranzicione duhet të jenë të suksesshme sepse dështimi bart kosto të madhe.

Biokarburantet dhe digat e hidrocentraleve kanë treguar historikisht se mund ta përkeqësojnë situatën e sigurisë, pasi vetëm hidrocentralet kanë zhvendosur rreth 80 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre.

“Ne duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe të mos i përsërisim në shkallë të gjerë”, ka thënë, Geoff Dabelko, një prej autorëve të raportit, i cili punon edhe si profesor në Universitetin e Ohajos.

“Konservimi duhet të ndodhë, por jo me forcë. Tranzicioni në emetimet zero të karbonit është gjë e domosdoshme, mirëpo duhet të ndodhë në mënyrë të drejtë. Luftimi i krizave mjedisore duhet të jetë në hap me drejtësinë, barazinë, të drejtat e njeriut dhe me krijim të paqes, në vend të shkatërrimit të saj”.

Financoni paqen, jo rrezikun
Aktualisht, qeveritë shpenzojnë mesatarisht 5-7 trilionë dollarë në vit në aktivitete që mund të dëmtojnë natyrën, sikurse subvencionimi i lëndëve fosile, peshkimi në mënyrë jo të duhur dhe shpyllëzimi.

Qeveritë janë zotuar se do të punojnë në këtë drejtim, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur, thuhet në raport.

“Nëse qeveritë dëshirojnë të sigurojnë paqe në epokën e re të rrezikut, ato duhet të ndërrojnë rrjedhën e financave nga aktivitetet e dëmshme”, ka thënë panelisti i raportit, Arunabha Ghosh./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme