Arabia Saudite, vendi më fuqishëm arab dhe strehë e vendeve të shenjta të besimit mysliman, e ka bërë të qartë qëndrimin e saj zyrtar mbi konfliktin më të gjatë në rajon: Lidhje të plota mes mbretërisë dhe Izraelit mund të ndodhin vetëm kur të arrihet paqja me palestinezët.
Megjithatë, media saudite e mbështetur nga shteti dhe klerikët po sinjalizojnë se ndryshimi tashmë po ndodh në lidhje me Izraelin – diçka që mund të ndodhë vetëm nën direktivat e trashëgimtarit të fuqishëm të vendit, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.
Mesazhet kundërthënëse rreth mundësisë së lidhjeve saudite me Izraelin reflektojnë atë që analistët dhe ata që kanë dijeni për dinamikën e brendshme, thonë se është ndarje mbi mënyrën se si princi 35 vjeçar dhe babai i tij 84 vjeçar, Mbreti Salman, i shohin interesat kombëtare.
“Nuk është sekret se ka një konflikt brezash”, tha rabini Marc Schneier me qendër në Nju Jork. Ai shërben si këshilltar për mbretin e Bahreinit dhe ka zhvilluar bisedime me Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit për të nxitur lidhje më të forta me hebrenjtë dhe Izraelin.
Kryeqytetet e Gjirit gjithnjë e më shumë po e shohin Izraelin si vend aleat për t’u mbrojtur kundër rivalit të përbashkët, Iranit në mes të shqetësimeve të pashprehura publikisht në lidhje me drejtimin e politikës së jashtme amerikane dhe pasigurive rreth zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Por nuk është vetëm kundërvënia ndaj Iranit që i ka afruar Izraelin dhe shtetet arabe më pranë gjatë viteve të fundit.
Rabini tha se ish ambasadori saudit në Shtetet e Bashkuara, Princi Khalid bin Salman, i tha atij se përparësia kryesore e vëllait të tij, princit të kurorës, ishte reformimi i ekonomisë saudite.
“Ai tha pikërisht këto fjalë: ‘Ne nuk do të jemi në gjendje të kemi sukses pa Izraelin’. Prandaj, për sauditët nuk është pyetja nëse, por qëndron pyetja se kur. Nuk ka dyshim se ata do të vendosin marrëdhënie me Izraelin”, tha rabini Schneier.
Princi i shquar saudit Turki al-Faisal këmbëngul se, “çdo zë për një përçarje mes mbretit dhe princit të kurorës është thjesht spekulim”.
“Ne nuk kemi parë asgjë nga këto”,tha princi i cili ka shërbyer për vite me radhë në krye të zbulimit dhe për pak kohë ambasador në Shtetet e Bashkuara.
Analistët dhe vëzhguesit thonë se Arabia Saudite nuk ka gjasa të zyrtarizojë lidhjet me Izraelin për sa kohë që Mbreti Salman ka pushtetin. Ndërsa mbreti i ka dorëzuar djalit të tij drejtimin e përditshëm të çështjeve saudite, në disa raste ai ka ndërhyrë dhe madje ka lëshuar deklerata në mbështetje të palestinezëve.
Gjatë një telefonate me Presidentin Trump me 5 shtator, Mbreti Salman përsëriti angazhimin e tij ndaj Nismës Arabe të Paqes, sipas Agjencisë shtetërore të Shtypit Saudit. Nimsa i ofron Izraelit lidhje normale me shtetet arabe në këmbim të shtetit palestinez në territorin që Izraeli pushtoi në vitin 1967 – një marrëveshje që bie ndesh me planin e paqes së administratës së Presidentit Trump për paqen në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, princi i kurorës ka kundërshtuar traditën me një pohim të paparë. Princi Mohammed po ashtu është i etur të rivendosë lidhjet me Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së kritikut saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018.
Kur Shtëpia e Bardhë njoftoi muajin e kaluar se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli ranë dakord që të vendosin marrëdhënie të plota dimplomatike – një lëvizje që u pasua edhe nga Bahreini disa javë më pas – Arabia Saudite u përmbajt nga kritikimi i marrëveshjes apo zhvillimi i takimeve për të dënuar vendimin, pavarësisht kërkesës palestineze për ta bërë një gjë të tillë.
Palestinezët e kanë kritikuar marrëveshjen si një “tradhëti ndaj Jeruzalemit, xhamisë Al-Aqsa dhe kauzës palestineze”, por media saudite e kontrolluar nga qeveria i përshëndeti marrëveshjet si historike dhe të mira për paqen rajonale.
Mbretëria po ashtu miratoi përdorimin e hapësirës ajrore saudite për fluturimet izraelite drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, një vendim i njoftuar ditën pasi Jared Kushner, dhëndri i zotit Trump dhe këshilltar i lartë i tij, u takua me Princin Mohammed në Riad. Zoti Kushner u ka kërkuar shteteve arabe që të normalizojnë lidhjet me Izraelin.
Princi Mohammed u citua nga revista Atlantic gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 2018 të ketë thënë se Izraeli është një ekonomi e madhe dhe “ka shumë interesa që ne ndajmë me Izraelin”. Ai tha se palestinezët dhe izraelitët kanë të drejtë në tokën e tyre, para se të shtonte se duhet të ketë një marrëveshje paqeje për të siguruar stabilitetin dhe për të pasur marrëdhënie normale.
Komentet e tij u interpretuan si mbështetje për vendosjen e lidhjeve të plota mes mbretërisë dhe Izraelit, e cila do të asgjesonte ato që kanë mbetur nga konsensusi arab, se njohja e Izraelit mund të vijë vetëm pas krijimit të një shteti palestinez.
Sinjali më tregues ishte njoftimi me 11 shtator se vendi i vogël ishullor i Bahreinit po vendoste lidhje me Izraelin. Analistët thonë se kjo nuk mund të kishte ndodhur pa miratimin saudit.
Kjo sugjeron në mënyrë të fortë se Arabia Saudite është e hapur rreth idesë për lidhje zyrtare me Izraelin, tha studiuesi Hussein Ibish me Institutin e Shteteve Arabe të Gjirit në Uashington.
“Më tregon se ata vetë janë të gatshëm që ta shikojnë këtë në të ardhmen, ndoshta”, tha ai. “Ekziston një ndjenjë se kjo mund të jetë një lëvizje shumë e mirë për Arabinë Saudite, por nuk duan që kjo të shihet si dobësi e sauditëve. Ata duan të sigurohen që kjo tregon një shprehje ose kontribues i fuqisë saudite.”
Princi Turki thotë se shtetet Arabe duhet të kërkojnë një çmim të lartë për normalizimin e lidhjeve me Izraelin Ai tha se Izraeli mbetet “pengesa në të gjitha këto përpjekje”.
“Pikëpamja ime është nëse citohet tani pozicioni saudit mbi palestinezët…do të shihje një mbështetje prej më shumë se 90% të popullsisë që mbështesin qëndrimin zyrtar të Arabisë Saudite se duhet të ketë një shtet palestinez me Jeruzalemin lindor si kryeqyter”, tha Princi Turki për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Gazetarja Raghida Dergham dhe bashkëkryetare me Princin Turki e samitit të Institutit të Bejrutit në Abu Dabi, tha se gjeneratat e reja në Lindjen e Mesme duan nomralitet dhe jo rrëmbim të ambicjeve dhe ëndërrave.
“Ata duan zgjidhje dhe jo vazhdimin e refuzimit”, tha zonja Dergham e Institutit të Bejrutit, publikimet e të cilit kanë shtruar pyetje lidhur me të ardhmen e rajonit dhe rinisë së tij.
Kur u njoftua marrëveshja mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit në muajin gusht, kryefjala kryesore në rrjetin Twitter në Arabinë Saudite ishte kundër normalizimit me Izraelin. Megjithatë, në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein, kritikat publike kanë qenë të heshtura, pjesërisht sepse këto qeveri shtypin fjalën e lirë.
“Është shumë e vështirë të marrësh të dhëna të sakta, madje edhe kur anketon njerëzit”, thazonja Yasmine Farouk, një studiuese vizitore me insitutin “Carnegie Endowment for International Peace”.
Zonja Farouk thotë se opinioni publik për Izraelin në Arabinë Saudite është i larmishëm dhe kompleks, me mendime të ndryshme ndërmjet grupeve të moshave të ndryshme dhe mes liberalëve dhe konservatorëve. Ajo tha se ka një përpjekje për të përgatitur publikun saudit për ndryshime dhe për të formësuar debatin publik rreth Izraelit.
Ndërsa Arabia Saudite përgatitet të shënojë të mërkurën 90 vjetorin e pavarësisë, klerikët në mbarë vendin u udhëzuan të mbajnë predikime lidhur me rëndësinë e bindjes ndaj sundimtarit për të ruajtur unitetin dhe paqen.
Në fillim të këtij muaji, imami i Xhamisë së Madhe në Mekë, Sheikh Abdul Rahman al-Sudais, mbajti një predikim të mbështetur nga shteti për rëndësinë e dialogut në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mirësinë ndaj jo-myslimanëve, duke përmedur veçanërisht hebrenjtë.
Ai i dha fund predikimit duke thënë se kauza e palestinezëve nuk duhet të harrohet, por fjalët e tij shkaktuan bujë në median sociale, ndërsa shumë njerëz vunë re prova të mëtejshme të hedhjes së bazave për të lidhjet mes sauditëve dhe Izraelit.
E përditshmja saudite në gjuhën angleze, Arab News, e cila ka publikuar shkrime nga rabinë, ndryshoi banderolën e medias sociale në rrjetin Twitter të premten e kaluar për të thënë “Shana Tova”, përshëndetja hebraike për Vitin e Ri. /VoA
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist