Viktor Orbáni e ka shpallur sponsorin e tij të dikurshëm George Soros armik të shtetit. Ndërkohë fushata anti-Soros me tone antisemitike ka marrë përmasa ndërkombëtare me pasoja vdekjeprurëse.
Rreth pesë vjet më parë, kryeministri hungarez, Viktor Orbán e shpalli miliarderin hungarezo-amerikan George Soros armikun numër një të shtetit. Sorosi është ai që tërheq telat pas një komploti në shkallë të gjerë kundër Hungarisë. Qëllimi i tij: të rrëzojë Orbanin, të shkrijë shtetet-kombe të Evropës dhe të zëvendësojë popullsinë e tyre me migrantë.
Sipas qeverisë hungareze për të arritur qëllimet e tij 89-vjeçarin Soros e mbështesin “mercenarët” dhe “agjentët”e tij: disa organizata të caktuara joqeveritare, gazetarë dhe shkencëtarë, por edhe Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Kriza e Coronës po nxit edhe më tepër agjitacionin kundër Sorosit. Orbani e quan “mjeshtri i madh i teknokratëve të Brukselit”, kurse mediat flasin për sulm frontal të Sorosit kundër Hungarisë.
Nga sponsor në armik
Ironia është se Viktor Orbáni shpalli armik atë që e mbështeti fuqimisht për karrierën e tij politike. Në fund të viteve 1980 Viktor Orbáni dhe Lidhja e Demokratëve të Rinj – Fidesz, që aspironin për fundin e komunizmit në Hungari, përfituan nga angazhimi filantropik i Sorosit dhe fondacionit të tij për Shoqëri të Hapur. Sorosi i cili pasi emigrimit për në SHBA në vitin 1956, bëri miliarda me spekulime financiare të diskutueshme krijoi fondacionin e tij që ka rreth 15 miliardë dollarë.
Sorosi mbështeti me shuma bujare edhe Fidesz-in, ai u mundësoi Orbánit dhe kolegëve të tij të botonin gazetën e tyre, të ndiqnin kurse për gjuhë të huaja dhe të financonin zyrat e partisë. Shumë anëtarë të Fidesz-it morën më vonë edhe bursa për të studiuar në Perëndim. Orbán shkoi në Oksford. Pas ndryshimit të sistemit, Fidesz dhe Orbani e mbështetën Sorosin dhe universitetin e financuar prej tij Central European University. Tani pas tridhjetë vjetësh po ata e dëbuan këtë universitet nga Hungaria.
Dy këshilltarë politikë amerikanë -shpikës të mitit për komplotin e Sorosit
Në vitin 2010 Viktor Orbáni u rizgjodh për herë të dytë kryeministër i Hungarisë. Për këtë fitore atë e ndihmuan këshilltari amerikan me ndikim politik Arthur Finkelstein dhe partneri i tij George Birnbaum. Në SHBA Finkelstein kishte këshilluar më parë me sukses presidentët republikanë nga Richard Nixon deri te George W. Bush. Në mesin e viteve 1990, ai ndihmoi Benjamin Netanyahun të bëhet kryeministër i Izraelit.
Nga fushatat e tij të panumërta zgjedhore, Finkelstein e dinte se sa e rëndësishme është të krijohej një figurë armiku. Në rastin e Hungarisë ky qe George Soros, i cili me angazhimin e tij për liberalizmin dhe demokracinë është halë në sy për nacionalistët e djathtë në gjithë botën. Sorosin e kishin shpallur armik si nacionalistët në Ballkan edhe Presidenti rus Vladimir Putin për shkak të angazhimit të tij në Ukrainë dhe Gjeorgji. Edhe për republikanët amerikanë Sorosi është persona non grata për shkak të donacioneve të tij për demokratët, përkushtimit për mbrojtjen e klimës dhe kritikës së tij të ashpër për luftën në Irak.
Finkelstein dhe Birnbaum menduan se Soros është armiku i përsosur për Orbánin. Sorosi ka rrënjë hungareze, por ka jetuar për dekada në Shtetet e Bashkuara. Ai është i pasur dhe aktiv politik në të gjithë botën. Fushata kundër Sorosit filloi në verën e vitit 2013, dhe arriti kulmin vetëm dy vjet më vonë gjatë krizës së refugjatëve.
Fushata anti-Soros me tone anti-semitike dhe pasoja vdekjeprurëse
Qeveria e Orbánit nisi një fushatë të pashembullt kundër Sorosit, e cila u kurorëzua me “ligjin stop Sorosin” që drejtohej kundër OJQ-ve që angazhoheshin për të drejtat e refugjatëve dhe migrantëve. Fushata u shoqërua edhe me pllakata dhe me tone antisemitike. Sorosi konsiderohet ndërkohë si armik prej të djathtëve kudo të botë. Trumpi, Erdogani, Netanyahu apo Putini: të gjithë i kanë adoptuar pretendimet e Orbanit për Sorosin si drejtuesi i gjithëfuqishëm i marionetave të opozitës. Në mediat sociale nuk rreshtin sharjet kundër tij. Partitë populiste të djathta që nga Evropa deri në Australi e kritikojnë ashpër atë dhe këto fushata po çojnë gjithnjë e më shumë në dhunë. Një mbështetës fanatik i Trumpit dërgoi një bombë në adresën e shtëpisë së Sorosit në vitin 2018 dhe punonjësit e zyrave të fondacionit për Shoqëri të Hapur po sulmohen vazhdimisht.
Edhe ekstremistët e djathtë po i justifikojnë gjithnjë e më shumë veprimet e tyre me nevojën për të parandaluar një “shkëmbim popullsie” kinse të planifikuar nga elitat globale – një mit konspirativ ky në të cilin George Soros luan një rol udhëheqës.
Ky ishte pjesë e “manifestit” racist të vrasësit të myslimanëve në Christchurch. Edhe dorasi i Pittsburghut i vrau hebrenjtë për arsye të ngjashme. Vrasësi në Halle besonte gjithashtu në një komplot kinse hebraik dhe deklaroi se Sorosi dëshironte ta shndërronte Gjermaninë në një shtet multikulturor.
A u kishte vajtur vallë në mendje Arthur Finkelsteinit dhe George Birnbaumit – që të dy hebrenj – se ç’përmasa vdekjeprurëse do të kishte shpikja e tyre gjoja “e shkëlqyeshme”? Finkelsteinin nuk mund ta pyesim më, sepse ka vdekur në vitin 2017. Kurse George Birnbaum nuk dëshiron të flasë për këtë. Ai e refuzoi kërkesën e Deutsche Welles për intervistë.
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje