Nga: Catherine Rampell
Udhëheqja greke ndoshta dëshiron thjesht të vërtetojë se dhe ajo mund t’i përdorë me shkathtësi armët ekonomike të shkatërrimit në masë – kësaj here, duke hedhur në erë eurozonën
Dikur, Europa kishte një ëndërr. Ajo do të bashkonte fqinjët në një sistem ekonomik të përbashkët dhe kështu t’i jepte fund traditës shekullore të shteteve që shkatërronin njëri-tjetrin me bomba e bajoneta, topa e harqe, automatikë e gaz mustardë. Por, në vend të kësaj, shtetet e saj krijuan një armë për ta përdorur kundër njëri-tjetrit: borxhin. Eksperimenti ekonomik fisnik evropian dukej se kishte një premtim. Teoria e “paqes kapitaliste” – e cila mund të shkojë të paktën deri te Kanti e Monteskeje – pohon se tregtia është profilaktik për luftën. Tregtia mund të humanizojë barbarët matanë kufirit dhe, më e rëndësishmja, mundëson zotërimin e një pjese të fuqisë shumë të lehtë dhe më pak të rrezikshme. Atëherë cila ishte rruga më e mirë për të vendosur një paqe të përhershme sesa të grasatosh rrotat e tregtisë mes Gjermanisë, Francës, Greqisë dhe më shumë se një duzinë ekonomish të tjera të mbushura me armiqësi dikur? Anëtarësimi në euro. Krijimi i një monedhe të përbashkët synonte të lehtësonte qarkullimin e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, mes kufijve, dhe të lidhte vende të pabarabarta përmes përfitimeve të përbashkëta të tregtisë.
Por, fatkeqësisht, një stërvitje e tillë kishte pak kuptim duke parë peizazhin kulturor e rregullator të copëzuar. Milton Friedman, mes Kasadrave të tjera, i shpjegoi rreth dy dekada më parë në një ese kushtet e mira (SHBA) dhe të këqija (Europë) për të krijuar një bashkim monetar. Në Europë, ku vendet i ndan gjuha, zakonet, regjimet rregullatorë dhe politikat fiskale, një monedhë e përbashkët do të rezultonte shkatërrimtare pashmangshmërisht, shkroi ai. Tronditjet që do të pësojë një vend mund të ndihen në gjithë kontinentin, nëse vende individuale nuk ishin në gjendje të përshtatnin çmimet përmes normës së shkëmbimit. Në vend që të promovojë bashkimin politik, argumentoi Friedman, “përdorimi i euros do të ketë efekt të kundërt. Kjo do të shkaktojë tensione politike për shkak të tronditjeve të ndryshme që mund të ishin zbutur lehtësisht me ndryshimet e normës së shkëmbimit, çështje politike përçarëse.” Parashikimet e Friedman-it duken reale tani, megjithëse nuk dukeshin të tilla që në fillim. Kur Greqia përdori euron më 2001, ajo përfitoi shumë prej faktit se ishte në gjendje të huazonte më shumë seç mund të kishte qenë në gjendje ndonjëherë. Por ky huazim i tepruar e dobësoi, kur krediti dhe kërkesa u pakësuan gjatë krizës financiare. Falë bashkimit monetar, Greqia nuk i kishte më mjetet – zhvlerësimin e monedhës – të rriste inflacionin dhe të dilte nga recesioni në rritje. Në vend të kësaj, anëtarët e familjes së eurozonës – veçanërisht Gjermania, patriarku i dobishëm – këmbënguli te mbajtja e inflacionit në nivelet tejet të ulëta të monedhës së përbashkët, diçka që ishte krejt e kundërta e asaj për të cilën kishte nevojë Greqia.
Për më tepër, anëtarët e tjerë të eurozonës këmbëngulën që Greqia të vendoste masa kursimi në shkëmbim për huadhënie të menjëhershme që ajo të shmangte rënien në depresion dhe shmangien nga euro. Kjo kërkesë u bë në frymën e dashurisë së egër mes anëtarëve të familjes, por pati efekt shtyrjen e Greqisë në shmangie dhe depresion, vetëm se nga një rrugë tjetër. Siç parashikoi Friedman, përpjekja e Europës të arrijë harmoni politike përmes bashkimit ekonomik nuk çoi tek asnjëra. Vitet e fundit, sipas sondazhit Eurobarometër të Komisionit Europian, evropianët, e sidomos ata në vendet me probleme, në periferi të Bashkimit Europian, janë shumë më pak të prirë të ndihen “të afërt” me Europën (67 për qind më 2007, 56 për qind vjeshtën e kaluar). E kush mund t’i fajësojë? Kontinenti mund të ketë parë shumë pak në rrugën e konflikteve të dhunshme qysh nga krijimi i monedhës së përbashkët, por historia e vendeve evropiane e urrejtjes së përbashkët duket se është rafinuar në politika ekonomike ndëshkuese që kanë shkaktuar vuajtje në formë tjetër. Falë planeve të kursimit të imponuara nga huadhënësit, një e katërta e punëtorëve grekë nuk munden të gjejnë punë; ekonomia është tkurrur 25 për qind që nga 2010; dhe vendi është shumë larg nga të qenit në gjendje të paguajë borxhet. Gjërat u përplasën ditët e fundit, me paraqitjen e kontrollit të kapitalit, me një “referendum” vetësabotues dhe deklarimin se vendi nuk do t’i shlyejë 1.6 miliardë euro FMN të martën.
Mosshlyerje, në shuma shumë më të mëdha vetëm në pak javë, janë të pashmangshme. Syriza, partia e ekstremit të majtë që drejton (një fjalë e fortë kjo) vendin, mori pushtetin dimrin e kaluar duke u ankuar se huadhënësit e vendit i përdornin borxhet si një mjet për t’i grabitur shtetit grek sovranitetin. Tani, udhëheqja greke ndoshta dëshiron thjesht të vërtetojë se dhe ajo mund t’i përdorë me shkathtësi armët ekonomike të shkatërrimit në masë – kësaj here, duke hedhur në erë eurozonën.
Catherine Rampell, Washington Post
(Perkthimi: mapo.al)
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...