Shumica e kompanive zvicerane duan traktat me Bashkimin Evropian

17:59 | 28 Maj 2019
L G

Sipas një ankete të kompanisë “Economiesuisse”, dy të tretat e firmave të Zvicrës dëshirojnë që shteti i tyre të nënshkruajë një marrëveshje me Bashkimin Evropian. Këto rezultate nxjerrin në pah përçarjen e madhe që ekziston në këtë shtet të zhvilluar për vendimin më të madh sa i përket politikës së jashtme.

Një traktat i tillë do të ndikonte që Zvicra, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, t’i përshtatet në mënyrë të vazhdueshme tregut të bashkuar të BE-së dhe t’ua mundësojë qytetarëve të këtij blloku të kenë të drejta sikur të ishin në atdheun e tyre. Traktati do ta hapte mundësinë edhe për marrëveshje të reja tregtare, siç është marrëveshja për energjinë.

Vetëm një e pesta e kompanive që kanë më shumë se 20 punëtorë e kundërshtojnë traktatin me Bashkimin Evropian, i cili është partneri më i madh tregtar i Zvicrës. Në këtë anketë morën pjesë më shumë se një mijë kompani nga të gjitha rajonet e vendit.

Qeveria zvicerane duhet të deklarohet para BE-së për planin lidhur me traktatin e ngecur, miratimin e të cilit Brukseli e ka kërkuar për një dekadë dhe i cili ka qenë pjesë e negociatave për katër vjet me radhë.

Sidoqoftë, një marrëveshje e tillë po kundërshtohet nga opozita. Partia Popullore Zvicerane dhe Partia Socialdemokrate, të cilat kanë thënë se traktati me Bashkimin Evropian është shkelje e papranueshme e sovranitetit të vendit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme