Shtohet frika për një recesion në Eurozonë, teksa aktiviteti i bizneseve pëson sërish rënie

21:35 | 25 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë ka pësuar rënien më të madhe në 18 muaj, si rezultat i çmimeve më të larta, i rënies së kërkesës dhe i rritjes së inventarëve të mallrave të pashitura, sipas një studimi standard të kompanive, i cili ka shtuar frikën për afrimin e një recesioni.

Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve nga S&P Global pësoi një rënie me 0.7 pikë të martën, duke shkuar në 49.2, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2021 dhe muaji i dytë radhazi nën kufirin vendimtar prej 50 pikësh që ndan rritjen nga rënia.

Ekonomistët e anketuar nga Reuters prisnin një rënie pak më të madhe. Por, sondazhi nënvizoi sfidat me të cilat po përballet ekonomia e eurozonës, pasi bizneset gjermane raportuan rënien më të madhe të aktivitetit të tyre në më shumë se dy vite, ndërsa bizneset franceze patën rënien e tyre të parë në 18 muaj.

Andrew Harker, drejtor i ekonomisë në S&P Global, tha se të dhënat “flasin për një ekonomi në rënie përgjatë tremujorit të tretë”.

Ai shtoi: “Presionet e kostos së jetesës nënkuptojnë se rimëkëmbja në sektorin e shërbimeve pas heqjes së kufizimeve të pandemisë është zbehur, ndërsa prodhimi mbetet në trend rënës edhe për gushtin.”

Shërbimet e turizmit dhe të hotelerisë pësuan një rritje këtë verë nga heqja e shumicës së kufizimeve të koronavirusit në Europë, por këto fitime shtesë duket se janë kompensuar nga një numër i madh faktorësh negativë.

Rusia po redukton furnizimet me gaz natyror në Europë, duke shkaktuar nivele rekord të inflacionit në eurozonë, i cili po shton shpenzimet e familjeve dhe po godet investimet e bizneseve, ndërkohë që po detyron Bankën Qendrore Europiane që të rrisë normat e interesit dhe po bind shumë ekonomistë se eurozona po shkon drejt recesionit.

“Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve për gushtin sugjeron se ekonomia e eurozonës tani është në rënie,” shkroi Jack Allen-Reynolds, një ekonomist në Capital Economics, duke shtuar se “BQE-ja do të duhet të ecë përpara me shtrëngimin e politikës monetare, edhe nëse ekonomia bie në recesion”.

Obligacionet e qeverive të eurozonës u shitën nën ҫmim të martën, duke reflektuar besimin se rënia ekonomike nuk do të mjaftojë për të penguar BQE-në që të rrisë normën e depozitave nga zero në 0.5 për qind gjatë mbledhjes së muajit të ardhshëm. Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të Italisë u rrit në 3.65 për qind, niveli më i lartë në dy muajt e fundit.

Porositë e reja për bizneset e eurozonës, si në sektorin e shërbimit, ashtu edhe në atë të prodhimit, pësuan një rënie për të dytin muaj radhazi, sipas S&P Global, duke i bërë fabrikat që të përballen me rritjen më të madhe të inventarëve të produkteve të pashitura në të gjithë historinë 25-vjeçare të këtij sondazhi.

“Rënie veçanërisht të mëdha të prodhimit u vunë re në kategoritë e materialeve bazë dhe në sektorin e makinave, por u regjistruan rënie edhe në disa pjesë të sektorit të shërbimeve, duke përfshirë turizmin, rekreacionin dhe pasuritë e paluajtshme,” tha ai.

Anketa gjeti gjithashtu prova se presionet e inflacionit po lehtësohen, pasi kostot e inputeve dhe çmimet e shitjes u rritën me ritmin më të ngadaltë për gati një vit. Kufizimet e zinxhirëve të furnizimeve u zvogëluan, pasi koha e dorëzimit të produkteve u rrit me ritmin më të ngadaltë që nga tetori i vitit 2020.

Reduktimi i aktivitetit të bizneseve ishte më i përqendruar në Gjermani dhe në Francë, ndërsa prodhimi në vendet e tjera të eurozonës vazhdoi të rritet, “megjithëse me ritme të vogla”.

Shifra e Indeksit të Menaxherëve të Blerjeve për Gjermaninë ra me 0.5 pikë duke shkuar në 47.6, një rënie pak më e vogël nga sa pritej, e cila e ҫoi këtë indeks në nivelin më të ulët që nga qershori i vitit 2020, pasi rënia e konsiderueshme në indeksin e shërbimeve kompensoi përmirësimin në indeksin e prodhimit.

“PBB-ja gjermane mund të mos ketë pasur rënie në tremujorin e dytë, por ajo do të bjerë me siguri në tremujorin e tretë dhe ne dyshojmë se ekonomia gjermane nuk do të jetë në gjendje të shmangë një recesion teknik këtë vit,” tha Melanie Debono, një ekonomiste në Pantheon Macroeconomics.

Shifra e Indeksit të Menaxherëve të Blerjeve për Francën pësoi një rënie më të madhe nga sa pritej, duke rënë me 1.9 pikë dhe duke shkuar në 49.8, pasi aktiviteti u godit nga një ngadalësim i konsiderueshëm në sektorin e shërbimeve./ Financial Times, Monitor

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme