Shtohen shqetësimet për përplasje mes Izraelit dhe Iranit

21:54 | 28 Mars 2018
Trina Galanxhi

Izraeli dhe Irani, dy vendet me ushtritë më të fuqishme në Lindjen e Mesme, duket se janë drejt një kursi përplasjeje, që disa ekspertë kanë frikë se mund të ndezë një luftë rajonale e cila mund të tërheqë në të edhe Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

Tensionet janë të përqëndruara në fqinjin verior të Izraelit, Siri, ku si Rusia, edhe Irani, janë inkurajuar nga suksesi i tyre në mbështetjen e qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad. Lufta herë pas here ka kaluar përtej kufirit të Izraelit, duke shkaktuar alarm në shtetin hebraik.

“Nëse një raketë e grupit Hezbollah apo një mortajë, godet një kopësht, apo një autobus shkolle – një sulm që shkakton dëme të mëdha në aspektin njerëzor – ky do të ishte një incident taktik me një çmim strategjik”, parashikon Lior Weintraub, një ish-diplomat izraelit, tani pedagog në Qendrën “Herzliya”.

“Kjo do të përkthehej në një hakmarrje të konsiderueshme nga ana e Izraelit dhe prej aty situata mund të rrëshqasë”.

Christopher Kozak, analist i lartë në Institutin për Studimin e Luftës, gjithashtu është i shqetësuar rreth një incidenti që mund të dalë jashtë kontrollit:

“Kjo është arsyeja përse jam shumë i shqetësuar, se në muajt e ardhshëm ne do të përballemi, nëse jo me një shpërthim total të luftës në rajon, të paktën me një konfrontim më të drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Iranit në një front të ri të tretë”, – tha ai për Zërin e Amerikës.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe Hezbollahu libanez kanë vendosur burime përgjatë Lartësive Golan dhe kanë dislokuar komandantët kryesorë në këtë zonë.

“Çlirimi i Jerusalemit është pranë”, tha në janar gjatë një turneu në kufirin izraelito-liban, kleriku iranian Ebrahim Raisi, i rrethuar nga komandantë të Hezbollahut dhe oficerë iranianë.

Diplomati Weintraub thotë se Izraeli e kupton se ka “vetëm një arsye” për Iranin, që të përforcojë pozitat në Siri dhe ajo është “të ndërtojë një bazë nisjeje për një sulm kundër Izraelit”.
Disa analistë shqetësohen se situata do të përkeqësohet edhe më tej, nëse Shtetet e Bashkuara hedhin poshtë marrëveshjen bërthamore për mospërhapjen e armëve bërthamore mes Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Përtej mos lejimit të Iranit për të rifilluar një program të armëve bërthamore, prishja e marrëveshjes do të dërgonte një sinjal për Izraelin, se Uashingtoni do të lejonte diçka aq të guximshme siç është një goditje ushtarake izraelite kundër Iranit”, i tha Zërit të Amerikës Ned Price, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën e ish presidentit Obama.
“Kjo mund të jetë shkëndija që i vë flakën rajonit, me Hezbollahun që potencialisht mund të bëjë negociatat e Teheranit në vende afër dhe larg”, thotë Price, që ka shërbyer për një dekadë në Agjencinë Qendrore të Zbulimit si analist i lartë dhe më pas zëdhënës.

Duke pranuar se tensioni dhe “frika po shtohen rreth skenarit më të keq”, Pierre Pahlavi, ndihmës profesor për studimet e mbrojtjes në Kolegjin Ushtarak Mbretëror të Kanadasë, thotë se lufta nuk është e pashmangshme.

Në shkurt, Lindja e Mesme dukej të ishte në pragun e një lufte më të gjerë, pasi një raketë iraniane u qëllua në hapësirën ajrore izraelite dhe një avion izraelit u godit nga një sulm anti-ajror nga Siria, kur ajo sulmoi një bazë iraniane. Izraeli u kundërpërgjigj, duke goditur 12 objektiva të tjera në Siri, përfshirë katër objekte të tjera ushtarake iraniane.

Edhe para këtyre incidenteve, Grupi Ndërkombëtar i Krizave kishte paralajmëruar se “një luftë më e gjerë mund të ishte vetëm një gabim shumë i afërt”.

Zoti Pahlavi pohon se “as Izraeli dhe as Irani nuk dëshirojnë të fillojnë një përplasje që do të shkallëzohej”.

Në Izrael, zoti Weintraub pajtohet me këtë vlerësim, por paralajmëron se “nëse shpata do të vihet në qafën e Izraelit, atëherë Izraeli do të veprojë. Dhe nëse Izraeli do të veprojë, do të ketë një çmim. Por kur lufton për mbijetesën, bën atë që duhet të bësh dhe merr atë që meriton”.
Javën e kaluar, Izraeli pranoi haptazi për herë të parë, se bombardoi një reaktor bërthamor të dyshuar në Siri në vitin 2007 dhe sugjeroi se sulmi ajror duhet të jetë një kujtesë për Teheranin, se nuk do të lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore.
“Iranianët janë absolutisht të vetëdijshëm se nuk kanë kapacitete për t’u ballafaquar me forcat izraelite,” thotë zoti Pahlavi, xhaxhai i madh i të cilit ishte shahu i fundit i Iranit. “Unë besoj – ose ndoshta është thjesht një dëshirë, që iranianët do të bëjnë gjithçka që duhet, për t’i mbajtur gjërat nën kontroll “.

Rusia ka një koalicion të efektshëm me Iranin në Lindjen e Mesme ndërsa është gjithashtu e interesuar të ruajë marrëdhëniet e saj me Izraelin. Kjo e ka lejuar Moskën në përgjithësi të bëjë një sy qorr ndaj veprimeve izraelite kundër Iranit, brenda Sirisë.

Nëse Rusia duhet të zgjedhë mes Jeruzalemit dhe Teheranit, shumica e analistëve e shohin Moskën më afër pozicionimit me Iranin.

“A do të shkonin aq larg sa të gjuanin një avion izraelit? Nuk mendoj se do të shkonin aq larg,” thotë zoti Kozak.

Izraelitët shprehin besim se nuk do të kenë nevojë për forcat amerikane për t’i ndihmuar në luftën kundër Iranit, por ata gjithashtu nuk presin që administrata Trump të përpiqet t’u kërkojë vetëpërmbajtje.

Zoti Weintraub vëren se është “shumë e dukshme për të gjithë Lindjen e Mesme, se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pas Izraelit. Kjo do të thotë shumë, përsa i përket sigurisë kombëtare për jetën e izraelitëve.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara synon të mbajë forcat në Siri, tha Sekretari i Shtetit Rex Tillerson në janar, jo vetëm për të zhdukur luftëtarët e Shtetit Islamik dhe al-Kaidës, por gjithashtu si një sinjal për forcat e kontrolluara nga Damasku dhe Teherani.

Megjithatë, thonë analistët, Uashingtoni i ka kaluar Moskës detyrën për të zbatuar rregullat në disa zona të ashtuquajtura të de-shkallëzuara në Siri, duke i dhënë asaj më shumë kontroll në një kohë të tensioneve në rritje mes dy vendeve.

Nëse ndonjë nga forcat e saj do të goditen nga sulmet ajrore amerikane, si ato të kryera për të ndëshkuar Sirinë për sulme kimike, ushtria e Rusisë ka lëshuar një kërcënim të paprecedent.

“Nëse jetën e oficerëve rusë kërcënohen, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse do të hakmerren kundër sistemeve të raketave dhe nisjes së tyre”, tha gjenerali i ushtrisë Valerij Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura ruse, në fillim të marsit.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin biseduan me telefon javën e kaluar. Presidenti Trump u tha gazetarëve se ata diskutuan për luftën civile siriane – e cila është konflikti më vdekjeprurës në botë në dekadat e fundit – dhe se të dy udhëheqësit po kërkojnë të takohen së shpejti.

Organizimi i një samiti të tillë mund të jetë i vështirë, pasi klima e marrëdhënieve amerikano-ruse po zhytet në temperaturën e saj më të ulët, që nga Lufta e Ftohtë.

Moska të hënën u zotua të hakmarret, pasi Shtetet e Bashkuara – dhe aleatë të shumtë – dëbuan dhjetra diplomatë të saj që i konsiderojnë spiunë, në përgjigje të një sulmi me gazi nervor në Britani, për të cilin Perëndimi fajëson Rusinë./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme