Masakra e militantëve të Hamasit në Izrael më 7 tetor ka nxitur mijëra izraelitë që të pajisen për herë të parë me armë zjarri. Siç njofton nga Jeruzalemi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein (Gradstin), disa grupe po shprehin shqetësime lidhur me pasojat që mund të ketë ky fenomen.
Leila Grotsky thotë se kishte menduar prej kohësh të pajisej me armë zjarri. Por sulmi i Hamasit më 7 tetor ndaj 20 komuniteteve izraelite dhe vrasja e 1200 burrave, grave dhe fëmijëve, bëri që ajo përfundimisht të merrte vendimin.
“Ngjarje të tmerrshme ndodhën në jug të vendit. Por komunitetet që ishin të pajisura me armë, që kishin armë zjarri në shtëpi, ishin në gjendje të mbroheshin. Situata mund të kishte qenë më e rëndë nëse ato nuk do të kishin mbrojtur veten”, thotë Leila Grotsky që po stërvitet për të përdorur armët e zjarrit.
Ajo po trajnohet për vetëmbrojtje në shkollën kundër terrorizmit “Caliber 3”. Ajo bleu për 1300 dollarë një revole të modelit “Mossberg MC2c” dhe pagoi 150 dollarë për kursin e trajnimit. Gjatë trajnimit ajo mësoi ta përdorte armën dhe të gjuante në shënjestër.
Yakov Tueti u zhvendos në Izrael nga Franca dhe jeton në një lagje të Jeruzalemit pranë kufirit me qytetet palestineze të Bregut Perëndimor. Ai tha për Zërin e Amerikës se aplikoi për leje arme një javë pas sulmit të Hamasit, sepse kërkon të mbrojë dy fëmijët e tij të vegjël dhe gruan e tij.
“Kur pamë se çfarë ndodhi më 7 tetor, vendosëm që të jemi më të përgatitur dhe më të fortë për çdo skenar tjetër. Gjithmonë kam menduar që të blej një armë zjarri”.
Shitjet e armëve dhe trajnimi në shkollën “Caliber 3” janë rritur me 2000% që nga sulmi i Hamasit, thotë themeluesi i kompanisë Sharon Gat. Ai thotë se procedura e pajisjes me leje armësh është tejet e rreptë.
“Pas aplikimit, Ministria e Brendshme bën hetime për të kaluarën e individëve nëse kanë bërë krime, kanë lidhje me terroristët ose për probleme mendore apo fizike. Nëse i plotësojnë kushtet, ata intervistohen dhe dërgohen tek shkolla jonë për t’i trajnuar”, thotë për Zërin e Amerikës themeluesi i kompanisë “Caliber 3” Sharon Gat.
Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir i vijës së ashpër, kohët e fundit i lehtësoi procedurat e pajisjes me armë dhe njoftoi formimin e ekipeve civile të reagimit të shpejtë.
Rreth 250,000 izraelitë kanë aplikuar për leje armësh dhe vetëm katër janë refuzuar, sipas gazetës Ha’aretz. Grupe për të drejtat e grave kanë ngritur shqetësimin se përhapja e armëve mund të çojë në abuzimin e tyre në rastet e dhunës në familje.
Fushata e ministrit Ben-Gvir për të armatosur ekipet e sigurisë civile është e ndarë nga përpjekjet e tij për të rritur armatimin e kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor. Që nga 7 tetori, kolonët hebrenj kanë vrarë të paktën nëntë palestinezë, sipas OKB-së dhe grupeve të të drejtave të njeriut.
Madje edhe izraelitët që nuk jetojnë në vendbanimet e Bregut Perëndimor ose pranë kufirit me Gazën thonë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre personale.
“Nuk do të thoja se më bën të ndihem e fuqishme, por më jep një ndjenjë të shtuar sigurie. E di që ushtria dhe forcat tona të sigurisë janë të mahnitshme, por ato nuk mund të arrijnë në vendngjarje brenda një sekonde. Është e rëndësishme që të kesh një farë mase kontrolli”, thotë Leila Grotsky.
Ngjarjet e 7 tetorit kanë traumatizuar shumë izraelitë, madje edhe ata nuk u prekën personalisht nga sulmet. Izraelitët thonë se do të bëjnë gjithçka të mundur për t’u siguruar që kjo të mos përsëritet. /VOA
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë
Skandal i madh në Mal të Zi, dyshohet se referi e goditi me ...
Xheneta-Gjestit: Baju, nuk dua të flas me ty
Kumbaro ndan pamje nga Përmeti
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet...