Grupi militant palestinez Xhihadi Islamik, aleat i Hamasit që mbështetet nga Irani, sulmoi sot territorin e Izraelit me një mori raketash ndërkohë që tanket izraelite përparuan në brendësi të Rripit të Gazës ndërsa u përballën me luftimeve të ashpra. Sulmi i militantëve palestinezë erdhi nëntë muaj pas fillimit të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gazë, ndërkohë që Shteteve të Bashkuara, Egjipti dhe Katari, po vazhdojnë të nxisin të dy palët për të rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi.
Njëzet raketa u hodhën të hënën nga Rripi i Gazës në brendësi të territorit të Izraelit. Sipas autoriteteve izraelite, sulmi nuk shkaktoi viktima, por vëzhguesit thanë se ai ishte provë që militantët palestinezë ende mund të sulmojnë Izraelin me raketa, nëntë muaj pas ofensivës së Izraelit në Gazë, që synon të shkatërrojë grupet e armatosura, të cilat kërcënojnë sigurinë e tij.
Tanket izraelite hynë në thellësi në pjesën lindore të qytetit të Gazës dhe përparuan në brendësi të qytetit jugor Rafah. Por përkundër pritjes që operacioni në Rafah të ishte një pikë kthese në luftën kundër Hamasit, Izraeli është befasuar me ringjalljen e Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze në pjesën veriore dhe qendrore të Gazës.
Gjatë takimit me kabinetin e tij të dielën, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpjegoi atë që ai e quajti “detyrë të shenjtë për të liruar pengjet” si dhe vonesat për të rënë dakord për planin e paqes.
“Të gjithë e dinë të vërtetën e thjeshtë. Hamasi është e vetmja pengesë për lirimin e pengjeve tona. Përmes një kombinimi të trysnisë politike dhe ushtarake – mbi të gjitha trysnisë ushtarake – do t’i kthejmë të gjitha 120 pengjet tona. Të gjallë dhe të vdekur,” deklaroi kryeministri Netanyahu.
Por për shumë izraelitë, ky zotim nuk mjafton. Mijëra protestues u mblodhën sërish në Tel Aviv për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve që, sipas tyre, do të mundësojnë largimin e zotit Netanyahu nga pushteti.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë po vazhdojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Por dyja palët po vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur në qëndrimet e tyre – Hamasi kërkon armëpushim dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza, ndërsa Izraeli pranon vetëm pauza të shkurta luftimi deri në shkatërrimin e grupit militant.
“Nuk ka patur përparim të vërtetë… Siç kemi thënë, Hamasi është i gatshëm të trajtojë në frymë pozitive propozimet që do të siguronin armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe një marrëveshje serioze të shkëmbimit,” deklaroi për agjencinë Reuters zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan.
Izraeli ka dhënë shenja se operacioni i ushtrisë në Rafah është afër përmbylljes. Sipas zyrtarëve izraelitë, pas përmbylljes së fazën intensive të luftës, forcat izraelite do të përqendrohen në operacionet të një shkalle më të kufizuar që do të kenë për qëllim të pengojnë Hamasin që të rigrupohet.
Autoritetet izraelite liruan 54 palestinezë që i arrestuan gjatë luftës, sipas zyrtarëve palestinezë. Në mesin e të liruarve ishte edhe Mohammad Abu Selmeyah, drejtori i spitalit Al-Shifa, i cili u arrestua kur ushtria izraelite hyri në këtë spital në nëntor të vitit të kaluar, nën pretendimet se spitali po përdorej nga Hamasi për arsye ushtarake, të cilat grupi militant dhe drejtuesit e spitalit i kanë hedhur poshtë.
“U torturuam rëndë, më është thyer gishti i vogël. Vazhdimisht më kanë goditur në kokë, duke më shkaktuar plagë disa herë. Pothuajse çdo ditë jemi torturuar në burgjet izraelite. Qelitë e të burgosurve janë bastisur në baza ditore dhe ata janë rrahur rëndë çdo ditë,” tha zoti Abu Selmeyah.
Luftimet ndërmjet ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit po shkaktojnë zhvendosjen e serishme të mijëra palestinezëve, të cilët këto ditë po përballen me temperatura të larta.
Që nga fillimi i luftës më 7 tetor, të nxitur nga sulmi i militantëve të Hamasit ndaj vendbanimeve në Izrael që la të vrarë 1,200 njerëz dhe marrjen e 250 pengjeve, sulmet ajrore izraelite dhe operacionet e tjera ushtarake në Gazë kanë shkaktuar vdekjen e afro 38,000 palestinezëve, shifër kjo e Ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr nga Hamasi, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve.
Ofensiva izraelite është kritikuar gjerësisht nga qarqet ndërkombëtare për shkak të shkatërrimit në shkallë të gjerë të Rripit të Gazës dhe kostos së lartë për civilët./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...