Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shënojnë të hënën 22 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, që lanë pas vetes mbi 3 mijë të vrarë.
Presidenti Joe Biden do të mbajë një fjalim për pjesëtarët e ushtrisë, reaguesit e parë dhe familjet e tyre në një bazë ushtarake në Anchorage të Alaskas.
Ndalesa e presidentit Biden në Alaskë ndodhë ndërsa ai kthehet në shtëpi nga një udhëtim jashtë shtetit, që përfshinte pjesëmarrjen në takimin e nivelit të lartë të G20-tës në Indi dhe takimin me udhëheqësit në Vietnam.
Ndërsa e hëna do të jetë përvjetor i rrallë i 11 shtatorit pa pjesëmarrjen e presidentit në ceremonitë përkujtimore në Nju Jork, Pensilvani apo në Pentagon, kjo nuk është e pashembullt.
Presidenti George W. Bush në vitin 2005 mbajti një ceremoni në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa presidenti Barack Obama në vitin 2015 mori pjesë në një minutë heshtjeje në Shtëpinë e Bardhë përpara se të merrte pjesë në një ngjarje në nderim të punës së ushtrisë në Fort Meade aty pranë.
Nënpresidentja Kamala Harris merr pjesë në një ceremoni të hënën në Qendrën Përkujtimore dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit në Nju Jork.
Terroristët e Al-Kaidës rrëmbyen dy avionë komercialë dhe i përplasën në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, duke shkaktuar shembjen e të dy ndërtesave.
Bashkëshorti i zonjës Harris, Doug Emhoff, do të qëndrojë në Shanksville të Pensilvanisë për të vënë kurorë lulesh në vendin ku një avion i rrëmbyer u rrëzua në fushë pasi udhëtarët u përleshën me rrëmbyesit.
Zonja e Parë Jill Biden, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Shefi i Shtatmadhorisë gjeneral Mark Milley do të marrin pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave me lule në Qendrën Përkujtimore Kombëtare të Pentagonit. Terroristët përplasën një avion të rrëmbyer në ndërtesën që shërben si seli e Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Njëmbëdhjetë shtatori është Ditë Kombëtare e Shërbimit dhe Përkujtimit e që synon ta shndërrojë një ditë tragjedie në një ditë nderimi të kujtimeve të viktimave dhe atyre që iu përgjigjën sulmeve terroriste./voa
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...