Dhjetëra gra aktiviste nga vete të ndryshme u nderuan në Shtëpinë e Bardhë për aktivizmin e tyre në mbrojtje të së drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias sjell momente nga kjo ceremoni.
Nën organizimin e Zonjës së Parë Jill Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë të hënën u nderuan fitueset e çmimit Gratë e Guximshme për vitin 2024.
“Ato po kërkojnë të drejta për kujdestarë shtëpish në Bangladesh dhe njerëz më aftësi të kufizuara në Afganistan. Po ekspozojnë korrupsionin në Ugandë, po luftojnë shfrytëzimin seksual në Japoni. Po ngrejnë zërin për fëmijët që janë rezultat i dhunimeve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë, po lufttojnë për demokraci në Bjellorusi,” tha Sekretari Blinken.
T’u bësh jehonë zërave të grave të guximshme, si të këtyre grave që po nderohen këtë vit, është tejet e rëndësishme, tha Zonja e Parë.
“Veprimet tuaja të guximshme mund të frymëzojnë të tjera gra të bëjnë vepra të mëdha dhe të vogla. Është një këngë e së ardhmes që na frymëzon në mënyrë që edhe ne të kërkojmë drejtësi, të bëhemi mbrojtës të lirisë,” tha zonja Biden.
Në mesin e atyre që u nderuan ishte aktivistja iraniane Fariba Balouch.
Zëri i Amerikës ka realizuar një dokumentar për zonjën Baloush. Ajo është pjesëtare e grupit të diskriminuar etnik Balushi dhe përmes aktivizmit të saj ajo ka ngritur vetëdijen për krizën e të drejtave të njeriut në krahinat iraniane të Sistanit dhe Baluchistanit, përkundër kërcënimeve ndaj saj.
Fituesja e shpërblimit nga Gambia, Fatou Baldeh foli për betejën që ajo po udhëheq për t’i dhënë fund gjymtimit të organeve gjenitale të grave.
“Eliminimi i gjymtimit të organeve gjenitale tek gratë deri në vitin 2030 është objektivi i pestë i Synimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, por vetëm këtë vit, janë 4.4 milionë vajza në botë që rrezikohen nga gjymtimi i organeve gjenitale,” deklaroi zonja Baldeh.
Ndërkohë që 11 gratë që u nderuan ishin të pranishme në ceremoni, qeveria e Kubës pengoi pjesëmarrjen e disidentes politike Martha Beatriz Roque Cabello.
Puna e nëntë grave nga Nikaragua, të cilat ishin pjesë e një grupi të burgosurish politikë që u liruan vitin e kaluar, po ashtu u nderua pa praninë e tyre në ceremoni. Për to foli Drejtorja për Strategji politike dhe komunikim e Shtëpisë së Bardhë, Emmy Ruiz.
“Të gjitha luftojnë pandërprerë dhe përkundër rreziqeve personale kundër korrupsionit, shtypjes, diskriminimit, keqtrajtimit dhe për dinjitet,” tha ajo.
Gjatë qëndrimit të tyre në Shtetet e Bashkuara, fitueset e çmimit do të marrin pjesë në takime politike të nivelit të lartë dhe do të flasin në forume të ndryshme. Ato do të vizitojnë Los Anxhelosin për të takuar dhe për të punuar me koleget e tyre amerikane./voa/
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...