Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Iranin se do të përballej me pasoja të rënda për sulmin me raketa balistike kundër Izraelit të martën. Uashingtoni tha se sulmi shënoi një përshkallëzim të theksuar por duket se nuk kishte qenë efikas.
Gjatë një konference shtypi të martën, Presidenti Joe Biden shprehu mbështetjen e fuqishme për Izraelin ndërsa e cilësoi sulmin e Iranit si joefektiv. Presidenti Biden tha se po zhvilloheshin diskutime lidhur me mënyrën se si do të përgjigjej Izraeli ndërsa tha se ka në plan të zhvillojë një bisedë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Zyrtarët në Uashington thanë se forcat amerikan në rajon ndihmuan në përpjekjet mbrojtëse të Izraelit ndërsa Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë konsultime me Izraelin lidhur me hapat e ardhshëm.
Disa analistë thonë se përgjigja e Izraelit ka të ngjarë të ketë si objektiv objektet bërthamore ose të naftës të Iranit, ndërsa ekspertë të tjerë thanë se Uashingtoni po punon në prapaskenë për të frenuar përgjigjen e Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht Izraelin”, tha për gazetarët Presidenti Biden, ndërsa shtoi se mbetet për t’u parë se si do të përgjigjet Izraeli.
Ndërsa shërben në muajt e fundit të mandatit të tij, Presidenti Joe Biden përballet me kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit lidhur me mbështetjen ushtarake amerikane për Izraelin. Po ashtu me kritika përballet edhe Nënpresidentja Harris, kandidate e Partisë Demokrate për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit.
Ish Presidenti Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë lëshoi një deklaratë pas sulmit iranian me raketa balistike.
“Irani ka eksportuar terror në të gjithë botën dhe po shpërbëhet. E gjithë Lindja e Mesme është duke u shpërbërë”, tha republikani Trump i cili përballet me demokraten Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Nënpresidentja Harris tha se Irani ishte një forcë e rrezikshme dhe destabilizuese në Lindjen e Mesme dhe se Uashingtoni ishte i përkushtuar ndaj sigurisë së Izraelit.
Pentagoni tha se dy destrojerë të marinës amerikane ndihmuan në eliminimin e raketave iraniane që kishin si objektiv Izraelin.
Zyrtarët amerikanë thanë se nuk kishin asnjë paralajmërim nga qeveria e Iranit për fillimin e sulmit me raketa.
“Shtetet e Bashkuara nuk u njoftuan për asgjë përpara sulmit, por një paralajmërim serioz u lëshua më vonë”, tha misioni iranian në një deklaratë.
Reagimi i Izraelit ndaj Iranit në prill ishte relativisht i butë dhe dukej i kalibruar për të shmangur rreziqet e një lufte të gjerë midis vendeve kundërshtare, edhe pse shkatërroi një tabu të sulmeve të drejtpërdrejta nga Teherani. Analistët thonë se Izraeli mund të godasë më rëndë kësaj here.
“Sulmi iranian me raketa hap dritën jeshile për një kundërsulm nga Izraeli, ndoshta përballjen e madhe të përfolur prej vitesh nga Kryeministri Netanyahu”, tha analistja Laura Blumenfeld, me Universitetin Johns Hopkins./voa
“Mashtruese”, debat i ashpër mes Xhenetës dhe Sarës
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në ...
Kina thotë se SHBA-ja po “luan me zjarrin”, për shkak të mbë...
Rohde falënderon Kosovën për mbështetjen pas sulmit në Gjerm...
Festat e fundvitit, fluks i shtuar i udhëtarëve në Kakavijë
Pritje mbi një orë e gjysmë te Dheu i Bardhë për të hyrë në ...