Shtetet e Bashkuara akuzojnë 6 rusë, 2 kazakë për reklama të rreme në internet

15:58 | 28 Nëntor 2018
arbresh.info

Prokurorët në Shtetet e Bashkuara akuzuan tetë vetë, shumica prej tyre rusë, për një mashtrim të dyshuar në internet me reklama të rreme, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Sipas tij, skema e dyshuar, që ka nisur në vitin 2015, ka bërë që kompanitë të humbin dhjetëra miliona dollarë.

Dy nga të akuzuarit kanë operuar me një rrjet të reklamave të rreme, që ka prekur 1.7 milion komjuterë dhe u ka kushtuar bizneseve mbi 29 milionë dollarë në të ardhurat nga reklamat, tha Departamenti i Drejtësisë.

Akuzat u ngritën kundër gjashtë shtetasve rusë dhe dy të Kazakistanit në një gjykatë të Nju Jorkut.

Akuzat përfshijnë ndërhyrjen në kompjuterë, vjedhje të rënda të identitetit dhe pastrim të parave.

Tre nga të akuzuarit: Sergei Ovsyannikov, Aleksandr Zhukov dhe Yevgeny Timchenko janë arrestuar jashtë SHBA-së në javët e fundit, ndërsa të tjerët janë në arrati.

Konsullata e Rusisë në Nju Jork tha se është informuar për akuzat kundër gjashtë qytetarëve rusë dhe se po monitoron situatën.

Në Kazakistan, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Aibek Smadyarov, tha se ministria po verifikon nëse dy të akuzuarit janë vërtet shtetas kazakë./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme