Shtetasja amerikano-ruse deklarohet e fajshme për tradhti, sipas mediave ruse

20:22 | 7 Gusht 2024
KRG

Ksenia Karelina, me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse, e cila është duke u mbajtur në paraburgim në Rusi prej janarit, është deklaruar e fajshme për një akuzë për tradhti, sipas mediave shtetërore ruse.

Karelina, 33-vjeçare, nuk u përfshi në një këmbim të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit më 1 gusht, falë të cilit u liruan tre amerikanë nga paraburgimi në Rusi.

Ajo është duke u gjykuar në qytetin e Jekaterinburgut për shkak të një donacioni që e kishte bërë në një organizatë bamirësie për ta mbështetur Ukrainën.

“[Ajo] është deklaruar e fajshme”, tha për gazetarë pas seancës gjyqësore avokati i saj, Mikhail Mushailov, raporton TASS.

Karelina u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë në janar në Jekaterinburg, ku kishte shkuar për t’u takuar me të afërmit e vet.

Karelina, banore e Los Anxhelosit dhe shtetase amerikane prej janarit 2021, u akuzua fillimisht për huliganizëm, gjoja për sharjen e zyrtarëve policorë.

Agjentët e sigurisë, megjithatë, e kontrolluan telefonin e saj dhe thanë se zbuluan se, para se të udhëtonte për Rusi, ajo i kishte dhënë 51 dollarë donacion në një organizatë me bazë në SHBA, e cila e ndihmon Ukrainën.

Gjykata rajonale në Sverdlovsk pritet ta shpallë aktgjykimin ndaj saj në seancën e radhës më 8 gusht.

Karelina përballet me dënim deri në 12 vjet burgim, nëse shpallet fajtore.

Në këmbimin e të burgosurve më 1 gusht mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe disa vendeve evropiane, u liruan tre shtetas amerikanë të profilit të lartë, pesë shtetas gjermanë të burgosur në Rusi dhe Bjellorusi, si dhe tetë aktivistë politikë rusë, të cilët mbaheshin në Rusi sepse e kundërshtonin presidentin rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, Karelina dhe disa amerikanë të tjerë, të cilët Uashingtoni i ka shpallur si të burgosur padrejtësisht, dhe qindra qytetarë rusë që shihen si të burgosur politikë, vazhdojnë të mbahen në burgje në Rusi./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme