Shtetasit e rinj në SHBA mund të përcaktojnë fituesin në zgjedhje në disa shtete

08:28 | 1 Gusht 2024
K.B

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po i afrohen zgjedhjeve të nëntorit, miliona shtetas të rinj amerikanë po përgatiten që të hedhin votën e tyre për herë të parë.

Sipas Këshillit Amerikan të Imigracionit (AIC), organizatë jo qeveritare me seli në Uashington, më shumë se 3 nga 4 imigrantët që kualifikohen për të marrë nënshtetësinë e kanë marrë atë. Në disa shtete ku gara zgjedhore nuk është e përcaktuar, numri i emigrantëve që e kanë marrë së fundmi shtetësinë mund të përcaktojnë fituesin.

Me fjalë të tjera, shtetasit e rinj mund të kenë ndikim të madh në këto zgjedhje, sidomos në ato shtete ku ka numër të madh imigrantësh, sipas AIC-së.

Në shtetin e Arizonës, numri i imigrantëve që kanë marrë nënshtetësinë nga viti 2016 deri më 2020 është gjashtë herë më i madh se sa diferenca me të cilën i fitoi zgjedhjet Presidenti Biden, para katër vjetësh.

“Në shumë prej këtyre shteteve të papërcaktuara, numri i imigrantëve që kanë marrë shtetësinë është më i madh se sa ishte diferenca në vota në mes të kandidatëve, prandaj ky grup mund të ketë ndikim të madh si në aspektin lokal ashtu edhe në garat kombëtare”, thotë për Zërin e Amerikës Brian Miller, drejtor i organizatës jo qeveritare “Voto”.

Christine Chen është drejtoreshë dhe bashkë-themeluese e organizatës jo qeveritare Vota Amerikane nga Ishujt e Paqësorit dhe Azisë (APIAVote), që ofron ndihmë për të mobilizuar votuesit aziatiko-amerikanë. Ajo i tha Zërit të Amerikës se numri i votuesve me origjinë aziatike dhe nga ishujt e Paqësorit (AAPI) në zgjedhjet e vitit 2020 ishte më i madh se sa diferenca në vota mes fituesit dhe humbësit në shtetet e papërcaktuara.

“Kur analizon shifrat nga zgjedhjet e vitit 2020, mbi 21 për qind e votuesve të këtij komuniteti ishin votues për herë të parë. Shifra e përgjithshme e atyre që votuan për herë të parë në shkallë vendi ishte 14 për qind”, thotë zonja Chen.

“Prandaj, ne e dimë që jo vetëm po rritemi si komunitet, por po bëhemi shtetas dhe po rrisim pjesëmarrjen tonë në zgjedhje”.

Pavarësisht përpjekjeve, pjesëmarrja e shtetasve të rinj në votime ende nuk ka arritur shifrat e pjesëmarrjes së atyre që janë lindur në Shtetet e Bashkuara.

Joe Garcia, Nënpresident i organizatës jo qeveritare “Chicanos Por La Causa” me bazë në Arizonë, i tha Zërit të Amerikës se nxitja e popullatës latine për të votuar është e vështirë për disa arsye. Shumë imigrantë nga Amerika Latine vijnë nga familje ku pjesëmarrja në votime nuk është pjesë e traditës familjare. Nëse prindërit e tyre nuk kanë votuar, ka shumë gjasa që fëmijët e tyre nuk do ta kenë prioritet votimin.

Përpos kësaj, edhe procesi i votimit mund të jetë një proces që i tremb, veçanërisht votuesit që marrin pjesë në zgjedhje për herë të parë.

Procesi kompleks i votimit dhe mungesa e informacionit për procedurat e votimit mund të bëhet pengesë njerëzit që të mos votojnë. Kjo sfidë ndikohet nga pengesat kulturore dhe gjuhësore që i largon edhe më shumë votuesit e mundshëm nga procesi.

Për të trajtuar këto pengesa, organizata “Chicanos Por La Causa” zbaton strategji që ndikojnë sidomos tek votuesit e rinj në moshë, të cilët janë përdorues të platformave të rrjeteve sociale si Instagrami. Ata kanë qëllim që të edukojnë votuesit me origjinë nga Amerika Latine për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe çfarë ndikimi ka kjo tek çështjet që kanë rëndësi për komunitetet e tyre.

“Kjo po nxit njerëzit të kuptojnë që vota e tyre ka rëndësi për shumë çështje kyçe siç janë arsimi, vendet e punës, shërbimet si strehimi, shëndetësia e të tjera”, thotë zoti Garcia.

Sipas Qendrës Kërkimore ‘Pew’, mbi 3.5 milionë imigrantë që kanë të drejtë vote janë nga Meksika, një numër më i madh ky se sa nga të gjitha vendet e tjera.

Për komunitetin aziatiko-amerikan, vendet e reja të punës, ekonomia, sigurimi shëndetësor dhe inflacioni janë çështjet që kanë rëndësi më të madhe, sipas një sondazhi të organizatës “APIAVote”

Zonja Chen vë theksin tek fushatat që kanë bërë me elektoratin e këtij komuniteti në shtetet e papërcaktuara si Xhorxhia apo Nevada, ku përqindja e atyre që kanë votuar për herë të parë ishte më e larta. Në Xhorxhia pjesëmarrja e tyre ishte 26% ndërsa në Nevada 25%

“Një gjë që e kemi kuptuar është se partitë politike duhet të punojnë më shumë për të arritur tek elektorati ynë”, thotë zonja Chen.

Ajo shtoi se vetëm 54% e atyre që ishin pjesë e sondazhit kanë thënë se janë kontaktuar nga Partia Demokratike apo ajo Republikane.

Zoti Biden, sa ishte ende i përfshirë në garën zgjedhore, në muajin korrik nisi një fushatë informuese për votuesit me origjinë aziatike, pasi e kishte bërë këtë më parë me votuesit afrikano-amerikanë dhe ata me origjinë nga Amerika Latine, shkruan VOA.

Nënpresidentja Kamala Harris tanimë ka mbajtur tubime zgjedhore në Nevada dhe Pensilvani dhe ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga organizata “APIAVote”. Një ftesë e ngjashme i është dërguar edhe kandidatit republikan për President, Donald Trump./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme