Shtetasi suedez akuzohet për spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse

21:30 | 28 Gusht 2023
KRG

Prokurorët suedezë kanë akuzuar një burrë për spiunim ndaj Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara në emër të Rusisë për nëntë vjet.

Policia suedeze arrestoi Sergey Skvortsov, shtetas të Suedisë dhe Rusisë në nëntor të vitit të kaluar në periferi të kryeqytetit Stokholm së bashku me një person tjetër, i cili u lirua pak më vonë, transmeton Telegrafi.

Sipas aktakuzës, 60-vjeçari akuzohet për aktivitete të paligjshme të inteligjencës të drejtuara kundër dy vendeve midis viteve 2013 dhe 2022. Avokatja e Skvortsov thotë se ai mohon të ketë kryer ndonjë krim.

“Ai përsërit se i hedh poshtë të gjitha akuzat,” tha avokatja Ulrika Borg për Reuters.

Prokurorët thanë se Skvortsov veproi në emër të Rusisë për të mbledhur informacione që mund të dëmtonin sigurinë amerikane dhe suedeze.

Ata shtuan se i akuzuari gjithashtu bleu artikuj në emër të Moskës, që Moska dhe shteti rus nuk mund t’i merrnin në tregun e hapur për shkak të rregullave dhe sanksioneve të eksportit.

“Skvortsov dhe kompania e tij ishin një platformë për shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU dhe pjesë të shtetit rus, për të siguruar në mënyrë të paligjshme teknologjinë nga Perëndimi”, thuhet në aktakuzë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme