Google ADS

Shtëpia i shpëtoi stuhisë 200 kmh, pronarët tregojnë përse nuk u shkatërrua

11:24 | 17 Tetor 2018
Arbresh.info

Pronarët e shtëpisë së vetme që i mbijetoi stuhisë në plazhin e Floridas që u kaplua nga uragani Michael, kanë treguar se ajo është e ndërtuar për t’i përballuar stuhive deri në 300 kilometra në orë.

Lebron Lackey dhe xhaxhai i tij Russell King e ndërtuan shtëpinë e pushimeve verore të njohur si “Sand Palace” në vitin e kaluar në Mexico Beach e cila u përfshi nga stuhia e shkallës së katërt që pati erëra deri në 200 kilometra në orë.

Në fotografitë që shfaqin lagjen tërësisht të shkatërruar, shihej shtëpia e padëmtuar nga stuhia që bërë rrafsh me tokë krejt shtëpitë tjera përreth.

“E ndërtuam t’i mbijetojë më të keqes”, ka thënë Lackey për CNN-in.

“Që prej themelit e deri te kulmi, kur vjen puna te kualiteti i materialeve ose çfarë kemi përdorur, nuk i kemi kushtuar vëmendje kodit të shtëpive. Ne kemi shkuar përtej kodit dhe pyetëm se si mund t’i mbijetojë më të keqes? Dhe tentuam të ndërtojmë një të tillë”, ka treguar ai.

Shtëpia që është ndërtuar t’i përballojë erërave deri në 300 kilometra në orë, ka një themel me hekur dhe beton. Kulmit ata i kanë shtuar mure betoni dhe kabllo çeliku për ta mbajtur ngjitur me shtëpinë.

“Stuhitë ndodhin dhe ne donim të ndërtonim shtëpi për t’i përballuar ato”, ka thënë Lackey që ishte në shtëpinë e tij në Tennessee dhe stuhinë e shikoi nga kamerat e sigurisë që kishte vendosur në shtëpinë e pushimeve në Florida.

Në këto kamera ai shihte se si gjitha shtëpitë fqinje po kapërdiheshin nga stuhia, derisa kamerat tregonin se shtëpia e tij nuk po shkatërrohej si gjithë të tjerat, pasi kamerat ende punonin.

Lackey që nuk ishte fort i bindur se shtëpia do të mbijetonte, mbeti i shtangur kur pa fotografitë në të cilat prona e tij ishte në këmbë.

Shumica e shtëpive në Mexico Beach janë ndërtuar në vitet ’70. Që prej asaj kohe, stuhitë janë bërë më të fuqishme.

Me kodet e shtetit të Floridas, pas stuhisë Andrew në vitin 1992, shtëpitë duhet të kenë bazë për t’i përballur erërave deri në 120 kilometra në orë.

Së paku 19 persona kanë vdekur nga stuhia Michael në SHBA.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme