Shtëpia e Bardhë thotë se nuk kërkon luftë me Iranin, ndërsa Presidenti Joe Biden u zotua për një kundërpërgjigje ndaj sulmit me dron që vrau tre ushtarakë amerikanë në Jordani, sulm për të cilin Uashingtoni fajëson grupimet paraushtarake të mbështetura nga Irani. Kongresi po ushtron trysni ndaj Shtëpisë së Bardhë që të kundërpërgjigjet. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, kjo mund të përshkallëzonte dhe zgjeronte konfliktin e shkaktuar nga sulmi i Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor.
Shtëpia e Bardhë gjendet nën trysni për t’u kundërpërgjigjur pasi një sulm me dron vrau tre ushtarakë amerikanë në Jordani, veprim për të cilin Uashingtoni fajëson milicitë e mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak.
Zyrtarët amerikanë u shprehën se pas sulmit qëndron Irani, por nuk dhanë detaje për hapat që do të ndërmerren.
“Nuk do të ndërmarr sulme këtu nga podiumi dhe as nuk do t’i paraprij vendimmarrjes së presidentit. Siç e thashë dje, ne do të kundërpërgjigjemi. Do ta bëjmë në kohën e duhur dhe në mënyrën që do të zgjedhë presidenti, si komandant i përgjithshëm. Dhe do ta bëjmë këtë plotësisht të ndërgjegjshëm për faktin se këto grupe, të mbështetura nga Teherani, kanë marrë jetët e ushtarakëve amerikanë”, tha John Kirby, i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Por zoti Kirby saktësoi se një gjë është e qartë.
“Nuk kërkojmë luftë me Iranin. Nuk kërkojmë konflikt ushtarak me regjimin”, tha ai.
Të hënën, zyrtarët iranianë mohuan përgjegjësinë.
“Nuk kërkojmë tensione as me Amerikën, brenda apo jashtë rajonit. Republika Islamike e Iranit beson seriozisht tek zgjidhjet politike për mosmarrëveshjet ndërkombëtare apo rajonale”, tha Nasser Kanaani, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit.
Kreu i NATO-s shprehu ngushëllimet të hënën në Uashington dhe akuzoi Iranin.
“Shohim se Irani vazhdon të destabilizojë rajonin. Irani ka gjithashtu përgjegjësinë për mbështetjen e terroristëve që sulmojnë anijet në Detin e Kuq. Sjellja e Teheranit na kujton se si do të ishte një botë pa rregulla: e paparashikueshme dhe e rrezikshme, një botë ku siguria jonë bëhet më e kushtueshme”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Është gjithashtu e qartë se sulmi erdhi si pasojë e operacionit të Izraelit në Gazë, pasi grupi militant Hamas bëri një sulm tronditës ndaj civilëve më 7 tetor. Analistët thonë se tashmë është bërë e qartë që strategjia amerikane nuk ka patur sukses.
“Është e qartë se strategjia amerikane e tre muajve të fundit, për të mos lejuar përshkallëzimin e tensioneve rajonale, ka dështuar”, thotë Bernard Hudson, ish punonjës i CIA-s.
Dhe në kryeqytetin e Jordanisë, larg bazës ku u bë sulmi me dron, banorët dhe analistët thonë se e ndjejnë që kjo përfaqëson një fazë të re të konfliktit.
“Ky sulm përfaqëson një dimension të ri të konfliktit. Sulmi ndaj forcave amerikane brenda Jordanisë, apo në kufirin jordanez, do të thotë se sulmet po shtrihen nga Siria dhe Iraku, tashmë në Jordani”, thotë analisti politik, Amer Sabaileh.
Cilat do të jenë hapat në vazhdim? Vendimi është tashmë në dorën e presidentit Biden.
“Humbëm tre njerëz kurajozë në sulmin ndaj bazës sonë. Kërkoj një moment heshtjeje për tre ushtarët tanë të rënë... Dhe ne do të përgjigjemi. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, tha presidenti Biden./voa
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...
Pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Akron – Mirlind D...
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, Hoxha: Të ndërt...
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...