Rusia po krijon një armë kundër satelitëve, konfirmoi Shtëpia e Bardhë të enjten, pasi një ligjvënës ngriti alarmin mbi atë që ai e cilësoi si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se ky veprim i Rusisë mund të bjerë ndesh me një traktat që ndalon armët e shkatërrimit në masë në hapësirë.
Megjithatë, sipas tyre, ky nuk është një kërcënim urgjent. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, zyrtarët thonë se nuk ka vend për panik, ndërsa ligjvënësit u takuan me dyer të mbyllura për të diskutuar këtë çështje.
E gjithë vëmendja është drejt hapësirës, pas konfimimit të Uashingtonit se Rusia, e cila lëshoi një raketë në fillim të këtij muaji, po investon në një teknologji që Shtëpia e Bardhë thotë se mund të shkelë një traktat që ndalon armët e shkatërrimit në masë në hapësirë.
“Mund të konfirmoj se ka të bëjë me aftësitë anti-satelitore që Rusia po zhvillon. Dua të jem i qartë për disa gjëra menjëherë. E para, kjo nuk është një aftësi aktive dhe gatshme. Dhe megjithëse angazhimi i Rusisë për zhvillimin e kësaj aftësie është shqetësues, kjo nuk përbën kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e askujt. Nuk bëhet fjalë për një armë që mund të përdoret për të sulmuar njerëzit ose për të shkaktuar shkatërrim fizik në Tokë“, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby.
Kongresi diskutoi të enjten këtë çështje në një takim me dyer të mbyllura.
“Të gjithë dolëm me përshtypje shumë të forta se administrata po e merr këtë çështje shumë seriozisht dhe se ka një plan”, tha ligjvënësi republikan Mike Turner.
Zyrtarët e Pentagonit thanë se Forca Hapësinore amerikane është e gatshme të mbrohet. Analistët thonë se ushtria amerikane është e qartë mbi rreziqet në hapësirë.
“Ndërsa në të kaluarën hapësira ishte një përparësi dytësore për të gjitha shërbimet e tjera ushtarake, tani është përparësi kryesore për dikë në Pentagon dhe ata kanë filluar me të vërtetë të lëvizin në këtë drejtim”, thotë Todd Harrison nga Instituti amerikan “Enterprise”.
Shumë nga aktivitetet tona tokësore, që nga sistemet që rregullojnë transportin global, tek sistemet ushtarake, e deri tek satelitët e motit, kontrollohen nga hapësira.
Analisti Harrison thonë se vendet e tjera janë të vetëdijshme për këtë dhe kanë zhvilluar teknologjinë e tyre ushtarake.
“Ne përdorim hapësirën për kaq shumë gjëra të ndryshme në ushtri, saqë nëse një kundërshtar mund të na marrë hapësirën dhe na mohon mundësinë për të përdorur ato sisteme hapësinore, ata do të pengonin avantazhet më të mëdha të ushtrisë amerikane. Pra, kjo është arsyeja pse kombet e tjera, si Rusia dhe Kina në veçanti, kanë investuar në aftësi anti-satelitore për vite”, thotë zoti Harrison.
Zoti Kirby, i cili tha se Rusia me këto veprime mund të jetë duke shkelur Traktanin e Hapësirës së Jashtme, shtoi se masa e parë e Uashingtonit është diplomatike.
“Planifikojmë të angazhohemi drejtpërdrejt me rusët, si dhe me aleatët dhe partnerët”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.
Ekspertët e kontrollit të armëve thonë se traktati i vitit 1967 nuk jep hollësi mbi pasojat. Por, ata thonë se shkelja e tij do të alarmonte fuqitë e tjera të mëdha.
“Kjo do të ndikonte në ekonomimë globale dhe sigurisht shoqërinë. Pra, Kina do të ishte thellësisht e shqetësuar. India do të ishte jashtëzakonisht e shqetësuar, vende me të cilat Rusia ka marrëdhënie më të mira, sesa ato me ne. Pra, mendoj se do të pasohej me qortim. Kjo mund të mjaftojë për ta nxitur Rusinë të tërhiqet”, thotë Daryl Kimball nga Shoqata e Kontrollit të Armëve./VOA
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?