Google ADS

Shtëpia e Bardhë do të kufizojë disa investime amerikane në Kinë

21:49 | 9 Gusht 2023
KRG

Shtëpia e Bardhë do të ofrojë të mërkurën, detaje lidhur me planet për të ndaluar disa investime të teknologjisë amerikane në Kinë, të cilat mund të përdoren për të mbështetur modernizimin ushtarak të Kinës dhe mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Një zyrtar i lartë amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se masa kërkon që bizneset amerikane të njoftojnë qeverinë për investimet e tyre në Kinë.

Planet synojnë që të parandalojnë përdorimin e kapitalit dhe ekspertizës amerikane për qëllime ushtarake kineze që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Pritet që Presidenti Biden të lëshojë së shpejti një urdhër ekzekutiv për kontrollin e investimeve amerikane të teknologjisë së lartë në Kinë. Zyrtari i lartë amerikan, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte, tha se vendimi pritet të merret të mërkurën. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte.

Për muaj të tërë, zyrtarë të administratës së Presidentit Biden kanë theksuar se çdo kufizim i investimeve amerikane në Kinë do të shihet me imtësi.

“Këto janë masa të posaçme”, tha në prill Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan. “Ato nuk janë, siç thotë Pekini, një bllokadë teknologjike”.

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, tha në mars se administrata “nuk donte që masa të kishte përfshirje tepër të gjerë… Çdo gjë që është tepër e gjerë i dëmton amerikanët dhe ekonominë”.

Pritet që qeveria të përqendrohet tek investimet amerikane në Kinë për teknologji të tilla si mikroprocesorët, informatika kuantike dhe inteligjenca artificiale.

Masa në fjalë nuk do të ndikojë tek investimet aktuale, tha individi që ka dijeni për urdhrin ekzekutiv, i cili pritet zbatohet vitin e ardhshëm./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme