Shtëpia e Bardhë dënoi protestat jopaqësore kundër luftës në Gazë të martën, ndërsa studentët në Universitetin ‘Columbia’ morrën nën kontroll një ndërtesë, duke thënë se kjo është ‘qasje e gabuar’.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtëpia e Bardhë po vëzhgonte me kujdes protestat në rritje në universitetet amerikane.
“Presidenti beson se marrja me forcë e një ndërtese universitare është absolutisht një qasje e gabuar. Ky nuk është një shembull i protestave paqësore”, tha zoti Kirby gjatë një konference për shtypin.
Ndërsa presidenti ka autoritet gjithëpërfshirës për të aktivizuar Gardën Kombëtare, zoti Kirby tha se një veprim i tillë nuk po diskutohet momentalisht, megjithë zhvillimet e fundit në universitetin ‘Columbia’ në Nju Jork, ku studentët hynë në sallën ‘Hamilton’, bllokuan dyert nga brenda dhe disa të tjerë bllokuan hyrjen nga jashtë.
Policia e qytetit të Nju Jorkut mbërriti përballë kësaj ndërtese, por tha se ata do të ndërhynin vetëm nëse kishte lëndime, raportoi gazeta ‘Columbia Spectator’.
“Nuk ka asnjë përpjekje për të aktivizuar Gardën Kombëtare në këtë kohë”, tha ai. Zoti Kirby shtoi se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë dëshmie se persona të jashtëm janë përfshirë në protestat në universitetet amerikane.
Ai nënvizoi mbështetjen e qeverisë për të drejtën e fjalës së lirë dhe të drejtën për të protestuar, por tha se ishte thelbësore të sigurohet që protestat të mbeten paqësore dhe të mos paraqesin kërcënim për studentët e tjerë.
Presidenti Joe Biden “dënon përdorimin e fjalës ‘intifada’, (kryengritje) ashtu siç ka dënuar fjalimet e tjera të rrezikshme të urrejtjes të shfaqura ditët e fundit”, tha në një deklaratë zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates.
“Marrja me forcë e ndërtesave nuk është paqësore – është e gabuar. Gjuha e urrejtjes dhe simbolet e urrejtjes nuk kanë vend në Amerikë”, tha zoti Bates në deklaratë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, i cili tashmë i ka bërë thirrje presidentes të universitetit “Columbia’, Nemat Shafik, të japë dorëheqjen, sot shkoi një hap më tej.
“Kjo nuk është protestë; ky është terrorizëm” shkroi ai në rrjetin social X mbi një video ku shiheshin studentët në universitetin ‘Columbia’ duke thyer xhamat dhe duke bllokuar hyrjen./voa/
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...
Drita e mbyll si kampione stinorin vjeshtor, Ballkani e ndje...