Bashkim Buxhovi, një shqiptar i Kosovës me vendbanim në Kiev të Ukrainës, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës, se ka arritur të largohet nga kryeqyteti dhe aktualisht ndodhet në kufirin me Hungarinë. Aty po pret të bashkohet me dy fëmijët e tij për t’u larguar nga Ukraina.
“Para tre ditësh kam qenë në Kiev dhe kam parë vetë bombardimet dhe kam parë se çfarë po ndodh, kam përjetuar vetë ato sulmet që i ka bërë Rusia në disa pjesë të Ukrainës. Unë ato dy ditë kam qenë në Kiev kur është bërë bombardimi, kur është bërë rrethimi i Kievit edhe atë tmerr e kam përjetuar edhe vetë, kam qenë dëshmitar. Pastaj fëmijët e mi u larguan nga Kievi, patën probleme rrugës dhe u desh që edhe unë të shkoj pas tyre”, tha ai.
Buxhovi, që thotë se është me shëndet jo të mirë ndodhet në qytetin perëndimor të Ukrainës, Uzhhurod. Ai thotë se fëmijët e tij, djali 33 vjeç dhe vajza 29 vjeç, janë nisur me makinë për në kufirin hungarez ndërsa ai vetë ka shfrytëzuar trenin për të dal nga Kievi.
“Po, po pres fëmijët të vinë, fëmijët po më thonë që ushtarët po i ndalojnë djemtë e rinj dhe po i çojnë në front menjëherë sepse i kanë ikur shërbimit ushtarak, detyrës së vet patriotike”, tha ai.
“Jam duke pritur djalin me vajzën prej rrugës të rrezikshme, sapo të vinë ata, ne menjëherë duhet të shkojmë në kufirin e Hungarisë. Kolonat e automjeteve duke pritur me dhjetëra kilometra për të kaluar kufirin.. Nëse vijnë ata (fëmijët) bëhet mirë, por kam frikë mos ju ndodh diçka gjatë rrugës.
Buxhovi thotë se gjatë ditëve të para në Kiev ka qëndruar në banesën e tij dhe nuk ka pasur mundësi të strehohet, pasi objekti ku jeton nuk ka pasur bodrum për t’u fshehur. Ai thotë se nuk kanë mundur as të dalin jashtë për shkak të rrezikut.
Ai shton se jeton në Ukrainë prej 30 vitesh dhe se nga Kosova ka ikur për shkak të kushteve të rënda ekonomike gjatë kohës së sundimit serb. Në atë kohë, thotë ai, kishte mbetur pa punë dhe me dy fëmijë të vegjël.
Në Ukrainë, thotë se ka pasur disa ndërmarrje të vogla private ku ka shitur produkte kozmetike dhe prodhime të tjera estetike. Buxhovi thotë se situata në Ukrainë ka filluar të përkeqësohet pas vitit 2014, kur ka ndodhur revolucioni “portokalli” dhe partitë e lidhura me Rusinë kanë humbur pushtetin në Ukrainë.
“Si ra (Viktor) Janukoviçi dhe fitoi revolucioni, Janukoviçi iku në Rusi me gjithë elitën e vet, fituan këta të Ukrainës, të partive perëndimore edhe ende janë në pushtet. Prandaj rusi është bërë nervoz sepse nuk ka më mundësi që nëpërmjet njerëzve të vet kukulla të marrë pushtetin, tani dëshiron ta marrë me forcë, por as me forcë nuk po mundet. Nuk e di se si do të ndodhë por ata janë çuditur se si Ukraina, një vend kaq i dobët ti bëjë ballë një superfuqie”, tha ai./VoA/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...