Google ADS

Shqipëria përgatitet për vizitën e sekretarit Blinken

15:56 | 14 Shkurt 2024
KRG

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, i ka filluar përgatitjet për ta mirëpritur sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili të enjten e viziton shtetin shqiptar për herë të parë.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan do të përcillet me masa të larta sigurie. Policia shqiptare ka përgatitur planin e masave, sipas të cilit prej, orës 19:30 të mërkurës nis ndalimi i parkimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe disa prej rrugëve që lidhen me këtë bulevard.

Ndërsa, qarkullimi i automjeteve nga Rinasi, ku ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës rreth 18 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit, drejt Tiranës do të jetë i ndaluar prej mëngjesit të së enjtes deri në përfundim të vizitës së Blinken dikur pasdite.

Zyrtari i lartë amerikan pritet të mbërrijë në aeroport në Rinas rreth orës 11:00 të enjten.

Në dy anët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Një banderolë me mbishkrimin: “Mirë se vjen, zotëri Blinken” është vendosur në fasadën e ndërtesës së Universitetit Politeknik të Tiranës në sheshin pranë Presidencës dhe Kryeministrisë.

Vizita njëditore e kryediplomatit amerikan në Tiranë do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Kjo u nënvizua nga zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazinë, Yuri Kim, si dhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.

Ndërsa Miller e vlerësoi qëndrimin që mbajti Shqipëria si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si kryesuese e OSBE-së për vitin 2020.

“Shqipëria ishte udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor”, tha Miller.

Agjenda e vizitës së Blinken ende nuk është bërë zyrtare, por nga Departamenti Amerikan i Shtetit është bërë e ditur se do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë edhe konferencë për media.

Në prag të kësaj vizite, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Blinken do ta gjejë Shqipërinë të angazhuar për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Gjithashtu Blinken do të takojë rreth 100 të rinj shqiptarë, pjesë e programeve që SHBA-ja zbaton në Shqipëri, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar.

Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Paëell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016./REL/

Të ngjashme