Pas task-forcës kundër emigracionit të paligjshëm, Shqipëria dhe Britania e Madhe do të ngrenë një task-forcë kundër krimit të organizuar.
Gjithashtu dy shtetet do të kryejnë hetime të përbashkëta e do të shkëmbejnë informacion për të goditur grupet kriminale e sekuestruar pasuritë e tyre.
Kjo do të mundësohet falë memorandumit që u firmos mes Prokurorisë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA) e Mbretërisë së Bashkuar. Drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Graeme Biggar, firmosi më 22 shkurt memorandumin me kreun e SPAK, Altin Dumani.
SPAK-u e cilësoi një moment historik pasi kjo është marrëveshja e parë që agjencia britanike firmos me një strukturë hetimore në Shqipëri.
“Qëllimi kryesor është të institucionalizojë partneritetin mes SPAK-ut dhe NCA-së, në përpjekjen e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publikë”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Memorandumi parashikon angazhim të vazhdueshëm të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin, që ka për synim të sjellë rezultate konkrete në goditjen e disa prej veprimtarive më të rëndësishme të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave.
Gjithashtu SPAK-u theksoi se forcimi i këtyre marrëdhënieve ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian. Puna do të nisë menjëherë dhe do të përfshijë edhe aspekte që lidhen me strategjitë më të përparuara të hetimit financiar.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare kundër Krimit në Britaninë e Madhe u takua më pas edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Në takim u diskutua mbi ngritjen e task-forcës dhe të skuadrave të përbashkëta hetimore si dhe për shkëmbimin e menjëhershëm të informacioneve për të goditur grupet kriminale, si dhe të vendimeve penale për të sekuestruar pasuritë që vijnë nga krimi.
Dy ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u takua me ambasadorin britanik në Tiranë, Alastair King-Smith. Në njoftimin për mediat u theksua se ambasadori përcolli “dakordësinë e kryeministrit britanik që Mbretëria e Bashkuar të mbështesë fazën tjetër të përpjekjeve të Shqipërisë për reformën e shtetit të së drejtës dhe antikorrupsionin, përfshirë me policinë e shtetit dhe gjyqësorin”.
Agjencia Kombëtare e Krimit në Britaninë e Madhe (NCA) në shtator të vitit të kaluar kishte deklaruar se grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor kanë marrë nën kontroll më shumë tregje të kokainës dhe kanabisit në vend.
Mediat britanike kanë raportuar shpesh për raste kur shtetas shqiptarë janë përfshirë në aktivitete kriminale, të ardhurat e të cilave i kanë investuar në Shqipëri në forma të ndryshme.
Në dhjetor të vitit 2022, Shqipëria dhe Britania e Madhe firmosën një marrëveshje bashkëpunimi për të adresuar emigracionin e paligjshëm. Për këtë qëllim u ngrit dhe një task-forcë e përbashkët, dhe nisi kthimi i emigrantëve të paligjshëm./REL
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...