Përfshirja e trupave të rregullta të Koresë së Veriut për të mbështetur sulmin rus në Ukrainë do të ishte një përshkallëzim serioz i luftës, thanë ministrat e jashtëm të Francës dhe Ukrainës në një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev të shtunën.
Kjo shënoi vizitën e parë në Ukrainë të ministrit francez Jean-Noel Barrot, që nga marrja e detyrës në muajin shtator. Ai pritet të vizitojë të dielën pjesën lindore të vendit, ku Franca do të financojë dy qendra të reja për mbrojtjen e fëmijëve të prekur nga lufta.
Të enjten Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, akuzoi Korenë e Veriut se po përgatitet të dërgojë 10,000 ushtarë për të ndihmuar Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës. Por shefi i NATO-s Mark Rutte tha se deri tani nuk kishte prova për praninë e Phenianit në Ukrainë.
“Një zhvillim i tillë do të ishte diçka serioze e do ta shtynte konfliktin në një fazë të re, duke e përshkallëzuar atë”, tha zoti Barrot në Kiev, duke shtuar se një lëvizje e tillë do të ishte gjithashtu dhe një sinjal se Moska po haste vështirësi në luftë.
Homologu i tij ukrainas Andrii Sybiha, tha se rreziku i përshkallëzimit nga ky vendim ishte “i madh”.
“Ky është një kërcënim i madh për një përshkallëzimit të mëtejshëm të agresionit rus kundër Ukrainës. Ekziston një rrezik i madh që ai të dalë jashtë nivelit që paraqitet apo dhe kufijve të tij aktualë”.
Në fillim të kësaj jave, zoti Zelenskiy prezantoi ‘planin e fitores’ për të cilin tha se do t’i mundësonte Ukrainës t’i jepte fund luftës jo më vonë se vitin e ardhshëm. Hapi i parë i këtij plani do të ishte anëtarësimi i pakushtëzuar i Ukrainës në NATO.
Ministri i Jashtëm i Francës tha se Parisi ishte i hapur ndaj idesë së një ftese të menjëhershme për Ukrainën për t’u anëtarësuar, por tha se bisedimet do të vazhdojnë për këtë temë me aleatët.
“Për sa i përket ftesës së Ukrainës, ne jemi të hapur ndaj saj dhe është një diskutim që po e bëjmë me partnerët tanë”, tha zoti Barrot./voa
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...