Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare publikoi raportin e monitorimit të ndikimit të medias në luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, raporti ngre shqetësime mbi mënyrën e raportimit në media të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
Raporti i monitorimit të rolit dhe ndikimit të medias në luftën kundër dhunës në familje, realizuar nga Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare, ka nxjerr në dukje të dhëna shqetësuese mbi mënyrën e raportimit në mediat tradicionale dhe ato sociale të krimeve që kryhen ndaj grave dhe fëmijëve.
Gazetarja Arba Alishani, pjesë e Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare, thotë se raporti veçon rëndësinë e mënyrës se si rastet e dhunës pasqyrohen dhe trajtohen në media dhe ndikimin që ato kanë në perceptimin e shoqërisë dhe qytetarëve për rastet e dhunës.
“ Të dhënat më të rëndësishme në fakt janë dramatike dhe tregojnë se një pjesë e mirë e raportimit gazetaresk që vjen nga terreni, sidomos nga kronika e zezë që ka në fokus dhunën gjinore, sidomos femrën dhe krimet kundër saj, del të jetë kryesisht sipërfaqësor. Nuk ka analiza, analiza sociale dhe ekonomike se ku ndodhin këto ngjarje dhe, më pas, nuk ka mesazhe sensibilizuese. Përkundrazi, është e fokusuar komplet tek drama, sensacioni, titujt bombastik dhe jo tek përmbajtja e ngjarjes”, thotë ajo.
Monitorimi i rasteve të dhunës të pasqyruar në media shtrihet në një periudhë tre mujore, nga korriku deri në tetor të këtij viti. Në raport evidentohet fakti se dhuna vazhdon të jetë e përhapur dhe shpesh e padukshme. Rreth 58 % e grave raportojnë se kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre dhe se, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar 1019 raste të abuzimit ndaj grave dhe vajzave.
Sipas gazetares Alishani, rastet e fundit tragjike me nxënës të shkollave, dëshmuan se pasqyrimi në media në tejkalim të kodit të etikës ka sjell pështjellim në komunitet.
Kjo, sipas saj, për shkak të prirjes së disa mediave për të dhënë të parët lajmin, shumë herë pa e verifikuar dhe analizuar, presionit që ushtrojnë mediat e shumta sociale si dhe prirjes për të marrë sa më shumë klikime.
“Ndonjëherë është cënimi i identitetit të viktimës ai që prin në këto ngjarje duke u marrë me detaje, të cilat janë krejtësisht të parëndësishme, dytësore, dhe kjo vetëm për çështje klikimesh. Por këto nuk janë të barasvlershme me jetët njerëzore, nuk janë të barasvlershme me shoqëritë tona dhe as me të ardhmen e fëmijëve tanë. Rastet e fundit tragjike na kanë treguar se jemi përgjegjës për klikimet sepse jemi përgjegjës për jetën e këtyre fëmijëve”, thotë ajo.
Për Freskita Milotin, drejtuese e emisionit “Diagnozë” në një prej televizioneve shqiptare, tejkalimi i etikës në mënyrën e raportimit të krimeve dhe rasteve të dhunës ndaj grave apo fëmijëve po ndikon në shëndetin mendor të tyre.
“Shpesh ka tituj lajmesh që ndikojnë në shëndetin mendor dhe jo vetëm tek të rriturit dhe fëmijët. Është shumë e rëndësishme për ta thënë sepse fëmjët kanë mundësi që të aksesojnë në të gjitha platformat online. Nuk shikojnë shumë televizor si ne të rriturit, por janë të afeksionuar me mediat online. Dhe kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë tek ata. Me mediat, vidiot e shkurtra që kanë ndjeshmëri shumë të madhe, janë shumë delikate dhe nuk ka një filtër të mirëfilltë për to”.
Në shtimin e numrit të personave me probleme të shëndetit mendor, ndikim, veç të tjerash, kanë edhe rastet e pasqyrimit të dhunës në mënyrë agresive dhe të vazhdueshme, duke tejkaluar etikën, sidomos në rastet e të miturve.
Raporti mbi monitorimin e mënyrës së pasqyrimit të dhunës në media ngre nevojën e përmirësimit të qasjes mediatike ndaj rasteve të dhunës, sidomos dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, si dhe ndikimit që ato kanë në perceptimin e shoqërisë për këto raste./voa/
Liverpooli fiton ndaj Leicesterit dhe shkëputet në tabelë
Abdixhiku thotë se 40 mijë mërgimtarë e mbështesin LDK-në: S...
Sara në darkën e të nominuarve: Driloni është personi më i b...
Sulm me thikë në Mbretërinë e Bashkuar, dy të vdekur e dy të...
Syzet inteligjente Ray-Ban bëhen me “ekrane televizive”
Si të përdorni teknologjinë për të përmirësuar shëndetin?