Si sinjal paralajmërues shikohet në Gjermani bllokimi nga republikanët i projektligjit në Senatin Amerikan, ku parashikoheshin ndihma për Ukrainën, Izraelin, si edhe reduktimi i kalimeve ilegale të kufirit në SHBA.
Republikanët në Senatin Amerikan e bllokuan një paketë ligjore të negociuar më parë mes partive, me të cilën parashikoheshin fonde për sigurimin e kufijve në kufirin amerikan me Meksikën si dhe ndihma për Ukrainën edhe Izraelin. Paketa e masave me një vëllim prej 118 miliardë dollarë nuk e mori shumicën në senat me 60 vota. Demokratët në dhomën e Senatit me 100 senatorë kanë vetëm një shumicë të vogël me 51 nga 49 deputetë. Ligji i ashtuquajtur ligji kombëtar shtesë për sigurinë përfshinte ndër të tjera edhe 60 miliardë dollarë për Ukrainën, 14,1 miliardë dollarë ndihma për Izraelin dhe 20,2 miliardë dollarë për sigurimin e kufijve amerikanë. Kompromisi mbipartiak, i arritur mes republikanëve dhe demokratëve parashikonte edhe ndryshime në politikën e imigracionit në SHBA.
Politikanët gjermanë u shprehën të shqetësuar pas dështimit të paketës miliardëshe për Ukrainën në senatin amerikan dhe e shhin atë si sinjal paralajmërues. “Bllokada e ndihmave për Ukrainën në kongres është vetëm një shije e hershme se çfarë do të na presë, nëse Donald Trump në nëntor kthehet sërish në Shtëpinë e Bardhë”, tha kreu i Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme në Bundestag, Michael Roth për portalin “t-online”. Roth tha se “siguria e Europës nga një ditë në tjetrën nuk do të ishte më e garantuar”. Po ashtu Roth e sheh “të ardhmen e një Ukraine të lirë dhe të pavarur në rrezik të madh” dhe kërkoi që europianët të marrin më shumë përgjegjësi për të ndalur imperializmin rus. Kurse politikani i CDU për çështjet e Jashtme, Norbert Röttgen tha se “duhet të zgjohemi më në fund dhe të përgatitemi për një presidencë të mundshme të Donald Trump, duke investuar në mënyrë masive për sigurinë tonë.”
“JO”-ja e republikanëve ishte bërë e ditur që më parë. Ish-presidenti amerikan Donald Trump kishte bërë fushatë kundër kompromisit të arritur mes republikanëve dhe demokratëve. Trump i kishte kërkuar republikanëve të mos bënin asnjë kompromis në këtë çështje. Në sfondin e gjasave të mëdha për një duel mes Joe Biden dhe Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Trump nuk ka interes për një sukses të Bidenit me miratimin e një ujdie mbipartiake. Kreu i shumicës në senat, demokrati, Chuck Schumer bëri të ditur një votim të dytë së shpejti./DW
Moti nesër: Diell dhe vranësira, temperaturat lëvizin nga -5...
Çaji që duhet të konsumoni për uljen e tensionit të lartë
Aksident me vdekje në aksin Gjirokastër-Tepelenë
SHBA ekspozojnë planin iranian për vrasjen e Donald Trump-it
Presidenti palestinez bisedë telefonike me Trump
Simptomat e demencës përkeqësohen ndjeshëm në këtë pjesë të ...