Google ADS

Shpëtimi i Krishtlindjeve, objektivi kryesor i qeverisë

18:56 | 14 Nëntor 2020
arbresh.info

Të ndalohet virusi dhe të vihet nën kontroll kurba e infektimeve.

Ky duket se është objektivi kryesor i qeverisë italiane dhe ekspertëve të saj, me treguesin Rt, që tregon nivelin e infektimit, që të zbresë nën 1. Dhe e gjithë kjo, përmes një përpjekjeje maksimale gjatë muajit në vijim, në mënyrë që të festohen krishtlindjet dhe ndoshta të bëhet edhe ndonjë lëshim më tepër për familjet duke hapur baret dhe restorantet që për momentin presin klientë vetëm në zonat e verdha edhe pse deri në orën 18.00.

Pra, përpjekje maksimale për një krishtlindje pa ndalim qarkullimi dhe pa izolim, edhe pse me darkën të rezervuar vetëm për familjarët e ngushtë. Sipas mediave italiane, ekzekutivi po punon për ta kthyer vendin në zonë të verdhë para festës së krishtlindjes, shkruan TCh.

Sipas ekspertëve, rënia më e madhe e infektimeve regjistrohet në ato rajone ku zhvendosjet e njerëzve janë më të kufizuara. Lombardia, Piemonte dhe Sicilia, kanë kontribuar jo pak në uljen e nivelit të infektimit ndërkohë që ka rënie të rasteve edhe në rajone si Lacio, që janë në zonën e verdhë. Ekspertët thonë se ka ende përpara një muaj për të marrë masa dhe për të kuptuar se si do ta kalojnë krishtlindjen italianët, por asgjë nuk është e sigurt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme