Google ADS

Shpërthen për herë të dytë brenda pak muajve një vullkan në Islandë

12:18 | 8 Shkurt 2024
L G

Një vullkan në jugperëndim të Islandës ka shpërthyer të enjten, vetëm dy muaj pasi një shpërthim paraprak i detyroi banorët e qytetit bregdetar, Grindavik, të evakuoheshin.

Shpërthimi nisi rreth orës 6 të mëngjesit sipas kohës lokale, duke lëshuar lavë përgjatë një çarjeje toke tri kilometra të gjatë në verilindje të Mount Sundhnukur, tha Zyra Meteorologjike e Islandës.

Roja Bregdetare tha se shpërthimi ndodhi në të njëjtën pjesë ku kishte ndodhur shpërthimi i 18 dhjetorit.

Zyra Meteorologjike theksoi se lava po rridhte drejt perëndimit dhe se tani për tani nuk ka rrezik për qytetin Grindavik – në të cilin pati evakuim nga vullkani i fundvitit – apo për termocentralin e madh në këtë pjesë të vendit.

Transmetuesi publik i Islandës, RUV, tha se Blue Lagoon spa, njëri prej atraksioneve më të mëdha turistike të Islandës, u mbyll menjëherë pasi filloi shpërthimi i vullkanit dhe se vizitorët u evakuuan në hotele.

Ky është shpërthimi i tretë prej dhjetorit i një sistemi vullkanit në Gadhisullin e Reikjanes, ku ndodhet edhe Keflaviku, aeroporti kryesor i Islandës. Nuk u raportua për pengesa në fluturime të enjten.

Në Islandë ndodh shpërthimi i një vullkani çdo katër-pesë vjet mesatarisht. Më 2010 ndodhi shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull, më i madhi në vitet e fundit, duke lëshuar re të mëdha hiri në atmosferë, gjë që shkaktoi mbylljen e hapësirave ajrore nëpër Evropë.

Qyteti me 3.800 banorë afër aeroportit kryesor të Islandës u evakuua më 10 nëntor kur një sërë tërmetesh shkaktuan çarje të tokës mes Grindavikut dhe Sylingarfellit, një qytet i vogël bjeshkor në veri.

Vullkani filloi të shpërthejë përfundimisht më 18 dhjetor, duke lëshuar lavë në drejtim të Grindavik. Një shpërthim i dytë ndodhi më 14 janar dhe lava e tij rrodhi drejt qytetit.

Muret mbrojtëse të cilat ishin forcuar pas shpërthimit të parë e ndalen një pjesë të lavës, por disa ndërtesa u gllabëruan nga lava./Rel

Të ngjashme