Shkrimtari nacionalist rus Prilepin plagoset në një sulm me makinë-bombë

14:49 | 6 Maj 2023
A. B.

Shkrimtari rus, Zakhar Prilepin, është plagosur si pasojë e një sulmi me makinë -bombë të shtunën, për të cilin Rusia e fajësuar menjëherë Ukrainën dhe Perëndimin.

Agjencia e lajmeve TASS, e ka cituar Ministrinë e Brendshme ruse të ketë thënë se një person është vrarë në shpërthimin që ka ndodhur në rajonin Nizhny Novgorod, rreth 400 kilometra në lindje të Moskës.

Një zëdhënës i ministrisë ka thënë se i dyshuari është arrestuar.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë në Telegram se “faktet janë të vërteta: Uashingtoni dhe NATO-ja e kanë ushqyer një tjetër qelizë terroriste ndërkombëtare – regjimin e Kievit”.

Ajo ka thënë se sulmi është “përgjegjësi direkte e SHBA-së dhe Britanisë”, mirëpo nuk ekzistojnë dëshmi për të mbështetur akuzat.

“Ne lutemi për Zakharin”, ka thënë ajo.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar të flasë, në mungesë të informacioneve nga hetuesia.

Prilepin është novelist, i cili hapur mbështet veprimet e Rusisë në Ukrainë, ku lufta e Moskës ka hyrë në muajin e 15-të.

Ai njihet për qasjet e tij nacionaliste, dhe ka mbi 300.000 ndjekës në Telegram, dhe kanalin e tij në YouTube.

Ai ka luftuar për forcat mbështetëse ndaj Rusisë, në luftën në lindje të Ukrainës – të nisur para shkurtit të vitit 2022 – si dhe e ka udhëhequr një njësit ushtarak atje.

Në një intervistë të vitit 2019, ai ka thënë se njësiti i tij “ka vrarë numër të madh njerëzish”.

“Ka njerëz të vdekur, ata janë të varrosur, dhe janë shumë”, ka thënë ai.

“Asnjë njësit në mesin e batalioneve në Donjeck, nuk ka pasur rezultate të tilla. Kemi bërë kaos të madh… asnjë komandant nuk e ka pasur rezultatin sikurse timin”.

Dy propagandistë pro-luftës në Ukrainë, janë vrarë në Rusi, prej nisjes së konfliktit.

Darya Dugina, vajza e ideologut nacionalist, ka vdekur në një makinë-bombë afër Moskës, në muajin gusht, derisa blogeri ushtarak, Vladlen Tatarsky, është vrarë në një sulm me bombë në një kafe në Shën Petersburg, muajin e kaluar.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Të ngjashme