Shkon në 53 numri i viktimave në incidentin e trafikimit në Teksas

14:33 | 30 Qershor 2022
E.H

Numri i të vdekurve nga një incident i trafikimit të qenieve njerëzore në shtetin e Teksasit në Shtetet e Bashkuara arriti në 53, pasi dy persona vdiqën në spital të mërkurën.

Shoferi i dyshuar i një kamioni të mbushur me dhjetëra emigrantë, që vdiqën nga vapa e madhe dhe një bashkëpunëtor i tij, u akuzuan në gjykatën federale amerikane të mërkurën për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore.

Trupat e 46 emigrantëve u gjetën fillimisht të hënën në rimorkion e një kamioni të braktisur në San Antonio.

Autoritetet thonë se temperaturat brenda kamionit kishin arritur në 39 gradë Celsius ndërkohë që nuk kishte shenja uji, ajri të kondicionuar apo ventilimi.

Incidenti është tragjedia më vdekjeprurëse e kontrabandës dhe trafikimit të qenieve njerëzore përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott njoftoi të mërkurën se autoritetet shtetërore do të ngrejnë pika kontrolli shtesë për kamionët në autostrada.

Guvernatori tha se tragjedia mund të ishte shmangur nëse presidenti Joe Biden do t’i siguronte Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara burimet e nevojshme për të monitoruar kufirin ashtu siç duhet.

“Shumë nga këto vdekje mund të parandaloheshin nëse presidenti Biden thjesht do të kishte financuar plotësisht operacionet e Patrullës Kufitare dhe do të vinte në zbatim politikat që i duhen Patrullës Kufitare për të bërë punën e saj. Puna e vërtetë nuk është përpunimi i dokumentave që ata janë caktuar të bëjnë. Puna e vërtetë është të sigurohet kufiri, ashtu si edhe inspektimi i automjetit si ky që po transportonte ata njerëz që humbën jetën”.

“Guvernatori i shtetit të madh të Teksasit e ka politizuar edhe një herë këtë tragjedi të tmerrshme, duke postuar në Twitter dhe duke ua hedhur fajin të tjerëve për dështimet e tij. Ndërsa trupat ende po nxirreshin dhe të tjerët po dërgoheshin në spitalet lokale, ai zgjodhi të ishte i pashpirt dhe të largonte fajin nga vetja. Turp për guvernatorin tonë”, u kundërpërgjigj komisioneria e kontesë Bexar, Rebeca Clay-Flores.

Personi i dyshuar për drejtimin e kamionit dhe një bashkëpunëtor i tij u akuzuan në një gjykatë federale të mërkurën me veprën penale të kontrabandimit të migrantëve që rezultoi me vdekje.

Ligjvënësi i Teksasit Henry Cuellar tha për agjencinë Associated Press se autoritetet besojnë se emigrantët hipën në kamion në tokën amerikane, pranë qytetit kufitar të Laredos.VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme