Shkon në 30 mijë numri i të vdekurve në Britaninë e Madhe

21:26 | 6 Maj 2020
Arbresh.info

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 30.076, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të shpalosura nga ministri i Administratave Lokale Robert Jenrick në konferencën e përditshme për shtyp, numri i viktimave të shkaktuara nga COVID-19 u rrit me 649 në vend në 24 orët e fundit.

Ndërkaq, numri i rasteve është rritur në me 6.111, për të shkuar në 201.101, kurse vendi ka kryer 69.463 brenda ditës së fundit.

Me këtë, vendi në katër ditët e fundit ka ngelur larg përmbushjes së synimit prej 100 mijë testeve ditore. Deri më tani, në Britani janë kryer 1.448.010 teste.

I pyetur se si Britania e kaloi Italinë me sistem të kolapsuar shëndetësor si pasojë e pandemisë dhe u bë vendi me më së shumti vdekje në Evropë, Jenrick tha se në këtë fazë është e vështirë të bëhen krahasime ndërkombëtare që do të qartësojnë gjendjen.

Ai tha se një rezultat do të arrihet pas definimit përfundimtar të numrit total të viktimave.

“Sot është e vështirë të bëhen përllogaritje. Natyrisht, ne duam t’i mësojmë leksionet mbi atë se çfarë do të mund të bëjmë. Në këtë fazë, ne ende po luftojmë me virusin”, shtoi ai.

Mbretëria e Bashkuar sot kaloi Italinë dhe radhitet e para në Evropë dhe e dyta në botë pas SHBA-së për sa i përket numrit të viktimave nga virusi.

Në Itali deri më tani janë konfirmuar 29.648 të vdekur dhe në SHBA 72.334.

Qeveria britanike në etapën e parë kishte paraparë përhapje të kontrolluar të virusit për “fitimin e imunitetit kolektiv”. Ajo u tërhoq nga ky plan pas raportimeve dhe shqetësimeve se numri i të vdekurve mund të shkojë në mbi 300 mijë.

Vendi më 23 mars kufizoi daljen e qytetarëve në rrugë dhe mbylli bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive.

Në Britani nga koronavirusi janë prekur edhe princi Charles më 25 mars, si dhe kryeministri Boris Johnson dhe ministri i Shëndetësisë Matt Hancock më 27 mars.

Boris Johnson u shtrua në spital më 5 prill pas vazhdimit të simptomave, ndërsa një ditë më vonë u vendos në kujdes intensiv. Më 9 prill, ai u largua nga kujdesi intensiv, ndërsa tri ditë më vonë, më 12 prill, u lirua nga spitali.

Ndërkaq, princi Charles dhe ministri Hancock u shëruan pa pasur nevojë për trajtim në spital.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme