Shteti i Kolorados po shpenzon 24 milionë dollarë këtë vit për të ndihmuar shkollat që të përballojnë fluksin e nxënësve emigrantë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Svitlana Prystynska vizitoi një shkollë në Denver për të mësuar më shumë mbi ndryshimet që po bëjnë mësuesit dhe nxënësit për t’u përshtatur me situatën e re.
Gati 6000 studentë emigrantë u regjistruan në shkollat publike të Kolorados vitin e kaluar, sipas zyrtarëve shtetërorë. Në shkollën fillore “Heritage Heights Academy” në Denver, më shumë se një e treta e nxënësve janë emigrantë. Natalia Miller-Forrest është drejtore e shkollës.
“Çdo emigrant i ri, pavarësisht nëse është i huaj pa dokumenta apo me leje qëndrimi, çdo fëmijë në Amerikë ka të drejtën e një arsimimi falas”, thotë ajo.
Shkolla e saj merr fonde shtesë nga shteti për të përballuar ndryshimet që po sjell fluksi i nxënësve të rinj. Në këtë shkollë tani ka nxënës nga 23 vende, përfshirë nxënësin Farooq Adam nga Sudani.
“Shoku im më i mirë është nga Etiopia dhe më pas mësova se Etiopia dhe vendi im, Sudani, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ajo që më pëlqen në Amerikë është sistemi i demokracisë, liria e fjalës dhe liria e fesë”, thotë ai.
Soyana Habtamo është nxënëse nga Etiopia.
“Mendoj se është e rëndësishme të takosh njerëz nga vende të tjera dhe t’i njohësh ata, sepse është mirë të mësosh historinë e vendeve të tjera të botës dhe të kuptosh pikëpamjet e njerëzve të tjerë”, thotë ajo.
Ukrainasja Irina Shatalov thotë se shumë prindër të nxënësve emigrantë shqetësohen se fëmijët e tyre do të gjykohen keq sepse nuk e flasin anglishten.
“Kjo shkollë ka shumë emigrantë të sapoardhur me prejardhje të ndryshme dhe të gjithë fëmijët luajnë së bashku”, thotë ajo.
Me mësues nga Evropa Lindore, India dhe Afrika, drejtorja Miller-Forest po punon për të krijuar kushte të mira për të gjithë nxënësit e saj dhe është krenare sesi fëmijët amerikanë po ndihmojnë shokët e klasës nga vende të tjera.
Nxënësja Rachel Washington thotë se emigrantët përmirësojnë përvojën akademike në shkollë.
“Disa nga miqtë e mi kanë emigruar këtu. Disa prej tyre janë nga vende të ndryshme. Unë njoh një nxënëse nga Meksika. Ajo më ka mësuar disa fjalë spanjisht”, thotë ajo.
Shtimi i numrit të nxënësve shton edhe shpenzimet për shkollën. Mësuesit thonë se fondet shtetërore shtesë për këtë vit shkollor mund të kenë nevojë të rriten sërish vitin e ardhshëm pasi shkollat e Denverit muajin e kaluar raportuan një rritje prej më shumë se 90 për qind të regjistrimit të nxënësve krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar./voa/
Vetura godet për vdekje këmbësorin në Klinë, arrestohet i dy...
Kurti uron von der Leyen për formimin e Komisionit të ri
Izraeli arreston militantët e Hezbollahut
Kurti shtroi drekë për ambasadorin amerikan, Hovenier dhe st...
Ministri i Drejtësisë thotë se Shkupi do të vazhdojë t’i zba...
Dy klube kosovare reagojnë ashpër ndaj gjyqtarëve