Google ADS

Shkatërrohet banda shqiptare në Itali

13:05 | 27 Tetor 2022
Emir Abduramani

24 persona kanë përfunduar në pranga, pasi që më shumë se 200 forca policore e komando kanë marrë pjesë në megaoperacionin “Magma”, të ndërmarrë në Itali, ku forcat vendase të rendit kanë shkatërruar një grup kriminal italo-shqiptar.

Grupi rezultonte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, dhe kishte në përbërje edhe brazilianë.

15 prej tyre përfunduan në burg, 9 të tjerët janë në arrest shtëpie.

Mediat italiane shkruajnë se aktiviteti zhvillohej në provincën e Reggio Calabrias, ndërsa mbanin lidhje edhe me organizatën famëkeqe mafioze, “Ndrangheta”.

Në mënyrë që të mos linin gjurmë, për të komunikuar, anëtarët e grupit përdornin celularë të koduar ose kabina telefonike publike kur lidheshin me organizata të ndryshme që kishin bazat e tyre operacionale në Shqipëri dhe Brazil.

Hetimet kishin nisur që prej vitit 2019, në bazë të dyshimeve se “Ndragheta” në bashkëpunim me bandat shqiptare dhe ato braziliane, po zhvillonte një trafik ndërkombëtar droge, duke kaluar sasi të mëdha kokaine të cilat shpërndaheshin në Europë. Kështu, ngarkesa të mëdha kokaine vinin nga Brazili, magazinoheshin në Zvicër e më pas transportoheshin në Lombardi për t’ua shitur blerësve të identifikuar, përfshirë një shqiptar.

Hetimi zbuloi se konsorciumi kriminal prodhonte dhe vetë sasi të mëdha kanabisi, duke u kujdesur për proceset e mëtejme të përpunimit. Ai kultivonte marihuanë në një zonë rurale të Komunës se Candidonit, ku policia sekuestroi gati 1300 bimë kanabis e 74 kg drogë, dhe arrestoi dy prej autorëve të cilët u kapën në flagrancë./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme