Google ADS

Shifra rekorde të turizmit në Itali më 2023

16:33 | 4 Qershor 2024
E.K

Italia e ka regjistruar numrin më të madh të turistëve ndonjëherë më 2023, sipas të dhënave të fundit prej Zyrës shtetërore të Statistikave, Istat dhe Ministrisë së Turizmit.

Vitin e kaluar Italia ka regjistruar më shumë se 134 milionë turistë dhe rreth 451 milionë akomodime, sipas autoriteteve italiane.

Istat ka thënë se shifrat e vitit të kaluar kanë qenë rekorde, dhe në krahasim me vitin 2022, numri i vizitorëve është rritur për 13.4 për qind – që do të thotë rreth 16 milionë më shumë pushues.

Shifrat i tejkalojnë edhe ato të vitit 2019, një vit para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, kur janë regjistruar 131 milionë pushues.

Italia është një prej destinacioneve më të popullarizuara për turistët dhe më shumë se gjysma e tyre janë të huaj. Pjesën tjetër e përbëjnë italianët që bëjnë turizëm të brendshëm.

Rajonet me më së shumti vizitorë janë Veneto, zona e Venecias, Toskana, Lombardia dhe Lazio, pa përjashtuar edhe kryeqytetin, Romën.

Megjithatë, këto shifra nuk janë lajm i mirë për të gjithë italianët.

Venecia, Roma dhe disa qytete të Toskanës janë të stërngarkuara gjatë sezonit të pushimeve.

Prandaj, banorët e këtyre zonave bëjnë secilën herë e më shumë thirrje që numri i turistëve të kontrollohet ose kufizohet.

Venecia, shembull, ka vendosur taksë për turistët./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme