Google ADS

Shërohet nga Covid-19 kryeministri rus

17:31 | 19 Maj 2020
Arbresh.info

Kryeministri rus Mikhail Mishustin u kthye në punë të martën pas shërimit nga koronavirusi i ri (COVID-19), njofton shërbimi për shtyp i qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mishustin, 54 vjeç, rezultoi pozitiv me COVID-19 më 30 prill dhe u shtrua në spital. Javën e kaluar, Mishustin filloi të marrë pjesë në takimet e qeverisë përmes video-onferencës.

Mishustin u bë anëtari i tretë i Kabinetit që trajtohej nga sëmundja pasi më herët ministrja e Kulturës Olga Lybimova dhe ministri i Arsimit Valery Falkov, njoftuan gjithashtu se ishin shëruar nga një formë e butë e virusit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov mbetet në spital së bashku me ministrin e Ndërtimit Vladimir Yakushev dhe zëvendësin e tij Dmitry Volkov.

Të martën në mëngjes, Rusia regjistroi 9.263 raste të reja gjatë ditës së kaluar, duke e rritur në 299.941 numrin e përgjithshëm të personave të prekur.

Numri i të vdekurve u rrit në 2,837, përfshirë 115 viktima të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa numri i të shëruarve u rrit me 5,921 duke shënuar gjithsej 76.130.

Të hënën, kryeministri rus, Mikhail Mishustin, njoftoi se megjithëse situata me përhapjen e virusit në Rusi mbetet “mjaft sfiduese”, autoritetet arrijnë të ndalojë rritjen e incidencës së sëmundjes.

Ai shtoi se Rusia u bë lidere për nga testimi i virusit, mbi 300,000 testime kryhen çdo ditë, dhe në total janë kryer më shumë se 7.3 milionë teste.

Në një deklaratë të veçantë, Zëvendës Kryeministrja Tatyana Golikova raportoi se rritja e infeksioneve në Rusi gjatë javëve të kaluara ra me 23.4 për qind në shkallë vendi dhe 47.5 për qind në Moskë, zona më e goditur në vend.

Shkalla e përhapjes mesatare e COVID-19 në vend është 0.9, por në 43 rajone kjo shifër vazhdon të mbetet e lartë.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 në gjithë botën ka kaluar në mbi 320 mijë, ndërsa numri i rasteve ka shkuar në 4.894.278, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme