Shërbimi vullnetar i një familjeje myslimane që shpërndajnë pako ushqimore në dyert e fqinjëve të izoluar, ka mahnitur banorët e Sudbrooke, një fshat i vogël në rrethin West Lindsey të Britanisë.
“Paçi një ditë të mbarë” dhe “ruajeni veten” janë mesazhet e shkruara në dy paketat ushqimore të dorëzuara në pragun e 66-vjeçares Pauline Loven, një historiane e njohur e kostumeve dhe producente e filmave të trashëgimisë.
E vetëizoluar në shtëpi në fshatin e saj, 9,6 kilometra në veriperëndim të qytetit Lincoln, për shkak të koronavirusit (COVID-19), Loven tha për Anadolu Agency (AA) përmes e-mailit se ajo ishte prekur thellë nga akti i bamirësisë së fqinjës së saj myslimane Ghana, të cilën ajo e kishte takuar vetëm “një herë shumë muaj më parë”.
Dy javë më parë, kur vendi vendosi masat, Ghana lëshoi një shënim nën dyert e të gjithëve në lagje, duke u ofruar të bëjnë pazare, të sjellin ilaçe ose të bisedojnë miqësisht në telefon.
“Ne biseduam nëpër xhamin e derës së përparme, kështu që ajo e dinte që ne jemi të izoluar”, tha Loven, e cila gjithashtu vuan nga astma.
“Disa ditë më vonë, Ghana dhe djali i saj adoleshent thirrën dhe lanë një pako me ndihmë në një qese letre. Ajo kishte veshur doreza plastike për të mbrojtur paketën. Ajo përmbante mandarina, domate, tranguj dhe dy lëngje frutash të freskëta. Më vonë e kuptova se kjo ishte vitaminë C për të përmirësuar sistemin imunitar. Aty gjithashtu kishte dezinfektues për duar”, shtoi Loven.
Pasi e pyeti përmes derës se çka i detyrohet fqinjit të saj për këtë bujari, Loven tha se dëgjoi fjalët më të çmuara: “Asgjë. Ti je fqinji im dhe ti je familja ime”.
“U preka jashtëzakonisht. E di se unë nuk jam e vetmja që ajo kujdeset, por ajo kujdeset për shumë njerëz që jetojnë të izoluar në rrugën tonë. Mezi po pres ta takoj ashtu siç i ka hije pasi të përfundojë e gjithë kjo”, tha producentja.
Loven tha edhe pse ishte angleze, kishte “fatin e mirë” se një pjesë të jetës e kishte kaluar në Jemen dhe Qipro. Prandaj, ajo vlerëson ndërlidhjen e njerëzve pavarësisht racës, kulturës apo besimeve, duke e përshkruar atë si “një gjë tepër të çmuar”.
“Jam pasuruar pa masë nga një fëmijëri e tillë,” tha ajo, duke shtuar se të gjithë mund të kontribuojmë për ta bërë botën një vend më të mirë për njëri-tjetrin.
Producentja e filmit dhe historiania e kostumeve nënvizoi se pandemia COVID-19 i ka dhënë shumë mësime njerëzimit.
Ajo gjithashtu shprehu shpresën se mund të gjendet një rrugëdalje, pas gjithë kësaj, për një “ekuilibër më të mirë” midis nevojave të ekonomisë, njerëzve dhe qëndrueshmërisë së planetit.
Sindikalistët e shëndetësisë njofton për protestën e radhës ...
Dy shqiptarë të nominuar për çmimet vjetore të FIFA-s
Rumania fillon rinumërimin e votave pas akuzave për shkelje ...
Bebushja Luna Mari Ejlli rrëmben vëmendjen me veshje kombëta...
Hovenier: Falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në...
Sveçla: Sulmet në veri, dëshpërim i bandave të dirigjuara ng...