Google ADS

Shërbimi gjeorgjian i Inteligjencës: Rusia mbetet kërcënimi kryesor i vendit dhe rajonit

21:03 | 20 Prill 2021
A. B.

Shërbimi gjeorgjian i Inteligjencës (SSG) ka publikuar raportin e saj për vitin 2020, duke përshkruar sfidat kryesore me të cilat përballet vendi, si dhe masat e përdorura për ta mbrojtur atë nga kërcënimet.

Agjencia thotë se pushtimi rus i Abkhazisë dhe rajonit të Osetisë së Jugut mbetet kërcënimi kryesor gjatë këtij viti, ndërsa “aktivitetet nga shërbimet e inteligjencës së vendeve të huaja në dëm të interesave kombëtare të Gjeorgjisë” përbënin një kërcenim tjetër.

Raporti thotë se militarizimi i vazhdueshëm nga forcat ruse në rajonet e okupuara që “dëmton mjedisin e sigurisë në terren”, përbën “kërcënim rajonal dhe sfidë ndërkombëtare”.

Sipas SSG-së, Rusia ka përparuar drejt aneksimit të rajoneve të pushtuara, e cila përfshinte nënshkrimin e Programit e Përbashkët Social-Ekonomik “në mes të Moskës e Sokhumit dhe rishfaqja e pretendimeve territoriale ruse në fshatin Aibga”.

Si pjesë e okupimit, Rusia përdori mjete të luftës hibride që synojnë “diskreditimin e institucioneve shtetërore gjeorgjiane, nxitjen e nihilizmit dhe qëndrimeve pesimiste në shoqëri dhe krijimin e pengesave në rrugën e vendit drejt integrimit euro-atlantik, të shoqëruara nga fushata e dezinformimit dhe lajmeve të rreme”.

Sfidat rajonale

Agjencia e Sigurisë njofton se shërbimet e huaja të inteligjencës u përpoqën të ndërhyjnë “direkt ose indirekt” në proceset e brendshme politike dhe jetën shoqërore të Gjeorgjisë, “për të prishur rendin kushtetues, për të krijuar çrregullime, për të shkundur themelet e shtetit dhe format e qeverisjes, për të penguar funksionimin e sistemeve institucionale të vendit dhe për të kufizuar ato për t’u zhvilluar”.

“Kishte përpjekje aktive për të ndikuar në procese të rëndësishme përmes manipulimit të opinionit publik, ndarjes dhe polarizimit të popullsisë”, shton raporti.

Duke përdorur mjete të ndryshme të “dezinformimit dhe propagandës”, shërbimet e huaja të inteligjencës vazhduan “mbjelljen e mosbesimit” te publiku ndaj partnerëve perëndimorë, duke zvogëluar vlerat demokratike dhe duke përhapur “pikëpamjet që u përshtaten interesave të vendeve të veçanta”.

Dokumenti emërton si një sfidë të veçantë rajonale, konfliktin ushtarak midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, kur “grupet e interesit” u përpoqën të “tensiononin situatën” midis azerbajxhanasve etnikë dhe armenë të vendit dhe të shpërndanin konfliktin në territorin gjeorgjian.

“Duke pozicionuar forcat ushtarake në Nagorni-Karabakh, Rusia përpiqet të konsolidojë levat ushtarako-politike dhe ekonomike të ndikimit mbi rajonin”, paralajmëron agjencia, duke theksuar se kjo mund të “ndikojë ndjeshëm në mjedisin e sigurisë së rajonit”.

Lufta hibride dhe dezinformimi

“Kërcënimet hibride” që vijnë nga vendet e huaja dhe shërbimet e tyre të inteligjencës, duke përdorur dezinformimin, “fuqinë e butë” dhe operacionet klandestine, ushtruan “ndikim thelbësisht negativ” në mjedisin e sigurisë.

Sipas raportit, shtetet e huaja “periodikisht përpiqen të ushqejnë mosmarrëveshje midis grupeve të ndryshme etnike, fetare ose shoqërore”, ndërsa “grupe të caktuara” përhapin pikëpamje radikale “ndaj pakicave etnike dhe fetare duke apeluar në” motive patriotike”.

Kishte “përpjekje aktive” gjatë gjithë vitit të fundit për të ndikuar në “grupe të ndryshme të publikut gjeorgjian”, si dhe procese të rëndësishme përmes “përdorimit të koordinuar dhe të përbashkët” të aktiviteteve klandestine dhe mjeteve të dezinformimit”.

Siguria kibernetike dhe terrorizmi

Sulme të shumta kibernetike janë kryer kundër “sistemeve kritike të informimit publik”, duke kujtuar sulmin e muajit shtator 2020 ndaj Ministrisë së Shëndetësisë që çoi në rrjedhjen e dokumenteve që lidhen me menaxhimin e pandemisë COVID-19. Sulmi u parapri nga “fushata të intensifikuara dezinformuese dhe procese shkatërruese” krahas pandemisë, duke përfshirë deklarata nga forcat pushtuese ruse dhe përfaqësues të regjimeve de-facto të territoreve të okupuara.

Sa i përket kërcënimeve terroriste, raporti thotë se nuk kishte pika të nxehta të identifikuara për përhapjen e ideologjive. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme